Zv/ministri i MPB-së dhe zyrtarë të Departamentit të Policisë Kufitare shohin nga afër punën e zyrtarëve policorë në Aeroportin e Prishtinës
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është realizuar një vizitë nga zv/ ministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani dhe drejtori i Departamentit të Policisë Kufitare të PK-së, Fehmi Xhata me bashkëpunëtorë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se qëllimi i kësaj vizite ka qenë që nga afër të shihet procedura e punës që është duke u kryer nga ana e zyrtarëve policorë në kontrollin e dokumenteve si dhe verifikimit të kushteve që janë të parapara të plotësohen, për udhëtim nga shtetasit e RKS-së të cilët janë duke e shfrytëzuar të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza.
Po ashtu, gjatë kësaj vizite të realizuar nga delegacioni i MPB-së dhe atij të DPK-së, është zhvilluar një takim edhe me zyrtarin ndërlidhës ALO nga Ambasada Zvicerane, Gabriel Macron, të cilit i janë shprehur falënderimet për bashkëpunim të shkëlqyer me PK-në në aeroport, si dhe është inkurajuar rritja e bashkëpunimit në interes të të dy palëve.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në kryerjen e punës me profesionalizëm dhe përkushtim të lartë, me theks të veçantë lëvizjes së shtetasve të RKS-së të cilët shfrytëzojnë lëvizjen e lirë pa viza”, thuhet në njoftimin për medie.