Zv/ministrja Gashi në Shkollën Diplomatike Pranverore, prezanton potencialet ekonomike të Kosovës
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, mori pjesë në Edicionin e Nëntë të Shkollës Diplomatike Pranverore për diplomatët e rijnë, të organizuar nga Akademia Diplomatike e MPJD-së, në bashkëpunim me Fondacionin gjerman Friederich-Ebert.
Zëvendësministrja Gashi, tha se është nderë i veçantë që të mirëpresin në Republikën e Kosovës një numër kaq të madh diplomatësh nga shtete të ndryshme të botës dhe që bashkë të shkëmbejnë përvojat dhe shkathtësitë në fushën e diplomacisë ekonomike dhe komerciale.
Duke folur për mundësitë që Kosova ofron për investime dhe bashkëpunim ekonomik në sektorë të ndryshëm, zëvendësministrja
Gashi theksoi se edhe tema e përzgjedhur për edicionin e nëntë të Shkollës Diplomatike Pranverore, e që lidhet me Diplomacinë Ekonomike dhe Komerciale paraqet një fokus të veçantë të qeverisë dhe MPJD-së, duke vënë theksin në potencialin që Kosova ka në këtë fushë.
Zëvendësministrja Gashi para diplomatëve ka thënë se Kosova ka avantazhe të shumta për investime përfshirë këtu taksat e ulta, ambientin stabil politik, ambient të sigurt për të bërit biznes, lokacionin strategjik territorial dhe faktin që Kosova ka popullatën më të re në Evropë.
Gashi ka përmendur poashtu sektorët me trend të rritjes në Kosovë, sic është sektori i IT-së, agrokultura dhe turizmin, për të cilat ajo ka thënë se Kosova i ka dyert e hapura për investime dhe bashkëpunime.
Edicioni i nëntë i Shkollës Diplomatike Pranverore ka mbledhur rreth 40 diplomatë të rinj nga 35 shtete të ndryshme të botës, të cilët për 5 ditë do të qëndrojnë në Kosovë.
Ata, përveç trajnimit, do të vizitojnë edhe vende historike dhe kulturore të Kosovës.