Zvarritja e procedurave gjyqësore, cenim i të drejtave themelore të qytetarëve
Zvarritja e procedurave gjyqësore në Kosovë, është cenim i të drejtës themelore të qytetarëve për të pasur mbrojtje gjyqësore dhe drejtësi juridike, ka deklaruar avokati i Popullit, Naim Qelaj.
Në një intervistë për “Ekonomia Online”, ai ka thënë se Këshilli Gjyqësor edhe ai Prokurorial duhet të marrin hapa konkret për të zgjidhur çështjen e zvarritjeve të lëndëve gjyqësore. “Zvarritjet e procedurave gjyqësore janë shqetësim dhe duhet edhe Këshilli Gjyqësor edhe ai Prokurorial të marrin hapa shumë konkret për të zgjidhur këtë çështje se zvarritjet me vite ku qytetarët kërkojnë zgjidhje të problemeve të tyre padyshim që është drejtësi e mohuar dhe në këtë drejtim na cenojmë një të drejtë elementare për të pasur mbrojtje gjyqësore dhe drejtësi juridike”, ka deklaruar ai.
Ai ka paralajmruar se gjatë vitit të ardhshëm do të del me një raport shumë konkret se si të zgjidhet kjo çështje. “Sa i përket masave që duhet të ndërmerren nga institucionet kompetente përkundër faktit që nuk kemi mandate të ndërhyrjes drejtpërdrejtë sepse e ruajmë pavarësinë institucionale padyshim që gjatë vitit të ardhshëm do të dalim me një raport shumë konkret se si të zgjidhet kjo çështje”, ka deklaruar ai.