Zverev sfidon Sinner në finalen e Australian Open
Tenisti italian Jannik Sinner, numri 1 në botë, ka siguruar finalen e grand slam të Australian Open pas triumfit 3-0 në gjysmëfinale ndaj amerikanit Ben Shelton (7-6, 6-2, 6-2). Ai do ta mbrojë titullin fituar një vit më parë. Sinner vuajti disi vetëm në setin e parë, kur fitoi në “tie break”, pasi më tej dominoi në fushë.
Përballë tij në finale do të jetë gjermani Alexander Zverev, numri 2 në botë, që u kualifikua pas tërheqjes së Novak Djokoviqit. Serbi u tërhoq pasi humbi 7-6 setin e parë dhe duket se ishte i dëmtuar në kofshën e majtë.
Tifozët e vërshëllyen Djokoviq pasi u tërhoq dhe doli nga fusha, ndërkohë që Zverevi avancon pa djersitur shumë. Të dielën do të luhet finalja e madhe mes dy tenistëve më të mirë në botë, me Sinner që konsiderohet favorit. Zverev nuk ka fituar asnjë grand slam në karrierë. Të shtunën do të luhet finalja e femrave mes Sabalenka dhe Keys.