Zvicra do të ndajë 20 milionë franga për Kosovën
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi është takuar me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, ku kanë biseduar për sfidat e sektorit të ujërave dhe shkëmbimin e ideve për ndërmarrjen e iniciativave të ndryshme në përmirësimin e sektorit të ujit në vendin tonë.
Ambasadori Lebet ka informuar ministrin Matoshi që Zvicra do të fillojë një program 12-vjeçar në vlerë prej 20 milionë franga për menaxhimin e integruar të resurseve ujore në Kosovë.
Ndërsa, ministri Matoshi ka prezantuar para ambasadorit zviceran sfidat dhe projektet që MMPH-ja është duke i zbatuar në përmirësimin e ujërave, në ndërtimin e rezervave të reja ujore, rregullimin e shtretërve të lumenjve, ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, etj.
Gjatë këtij takimi ministri Matoshi ka kërkuar nga ambasadori zviceran përkrahjen e shtetit që ai përfaqëson për t’i mundësuar Kosovës qasje tek institucionet ndërkombëtare dhe fondet për ujërat dhe ndryshimet klimatike ku Kosova fatkeqësisht ende nuk ka qasje direkte.
Në fund ambasadori zviceran është zotuar se do të angazhohet në këtë drejtim që Kosova të marrë pjesë në iniciativa dhe mekanizma rajonal dhe global në fushën e mjedisit si dhe të përkrahet me fonde për mbrojtjen e mjedisit.