
Zvicra do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur të mërkurën në takim njohës ambasadorin e ri të Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.
Me këtë rast, kryeministri Hoti e ka njoftuar ambasadorin Kolly për prioritetet e Qeverisë së tij, me theks të veçantë për përballjen me pandeminë Covid-19, si dhe angazhimin në rimëkëmbjen ekonomike.
Po ashtu, kryeministri Hoti ka shprehur mirënjohjen e qytetarëve dhe të Qeverisë për përkrahjen konkrete të Zvicrës për vendin në shumë fusha, veçanërisht për ndihmën që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës në sektorin e ujërave.
Kryeministri Hoti, ndër të tjera, ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale në mes dy vendeve.
Ndërsa ambasadori Thomas Kolly, e ka falënderuar kryeministrin Hoti për pritjen, si dhe ka theksuar se Zvicra do të vazhdojë edhe më tej ta mbështesë Kosovën me projekte zhvillimore.