Zvicra e Austria ende të mbyllura për qytetarët e Kosovës, s’ka termine për viza turistike
Pavarësisht rënies së rasteve me koronavirus dhe vaksinimit kundër COVID-19, kosovarët nuk mund të aplikojnë për viza turistike në shtetet e tjera të zonës Shengen, përveç se në Gjermani.
Në përgjigje për Demokracia.com, Ambasada e Zvicrës dhe ajo e Austrisë kanë thënë se kosovarët nuk mund të aplikojnë për viza turistike deri në një vendim tjetër, varësisht nga situata me pandeminë.
Ambasada e Zvicrës në Kosovë në një përgjigje për Demokracia.com ka thënë se nuk ka filluar ende lëshimi i vizave Shengen.
“Për shkak të situatës aktuale të pandemisë COVID-19, aktivitetet konsullore të kësaj Ambasade vazhdojnë por në një mënyrë të kufizuar. Hyrja në sportelet tona është e kufizuar”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Me tutje, Ambasada e Zvicrës në Prishtinë bën të ditur që deri në një njoftim të ri, vizat turistike mbeten të ndaluara.
“Për më tepër, Këshilli Federal vendosi të ndalojë lëshimin e vizave Shengen në të gjitha vendet e treta deri në një njoftim tjetër. Ju lutemi referojuni në faqen tonë të internetit për më shumë informacion”, thuhet më tej në përgjigjen e Ambasadës së Zvicrës.
Edhe Ambasada e Austrisë në Kosovë, në një përgjigje për Demokracia.com ka thënë se hyrja në Austri nga Kosova aktualisht nuk lejohet, përveç rasteve të jashtëzakonshme
“Rregullat për hyrje në Austri nën kushtet e COVID përmbahen në “Rregulloren e hyrjes COVID-19”. Siç përcaktohet në rregulloren e përmendur, hyrja në Austri nga vende të tilla si Kosova aktualisht nuk lejohet përveç se në raste të jashtëzakonshme, siç janë ato për shtetasit e BE ose personat që janë normalisht rezidentë në një shtet të BE. Sidoqoftë, ju lutem vini re, se situata monitorohet nga afër dhe rregullorja në fjalë ndryshohet”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Austrisë.
Ndërsa Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka njoftuar se nga 25 qershori qytetarët e Kosovës të cilët janë vaksinuar kundër COVID-19, mund të udhëtojnë sërish drejt Gjermanisë.
“Personat e vaksinuar plotësisht mund të kthehen në Gjermani për vizita, udhëtime biznesi dhe qëllime turistike nga 2 javë pas vaksinimit të fundit, me kusht që të mund të udhëtojnë përmes informacionit të nevojshëm, kërkohet një vizë e vlefshme. Të vaksinuarit plotësisht duhet të bëjnë takime për vizat Shengen në ambasadën në Prishtinë nga fillimi i korrikut”, njofton ambasada.
Gjatë pandemisë, në agjencitë turistike në Kosovë mund të gjenden kryesisht oferta për udhëtime në vendet e rajonit, si Shqipëria apo Mali i Zi, por edhe në Turqi, sepse për hyrjen në këtë vend, nuk duhet vizë.
Arizona Baxhaku, nga agjencioni turistik “A Travel”, tha për Demokracia.com se qytetarët e Kosovës preferojnë edhe vendet si Turqia, sepse për këtë vend nuk duhet vizë.
“Edhe Shqipëria ka interesim të madh, mirëpo këtë vit edhe për në Turqi është një fluks më i madh se që e kemi prit. Interesimi i qytetarëve është i madh, si duket e gjejnë një komoditet më të madh, edhe për kundër testit PCR dhe testit antigjen, po ashtu edhe plotësimi i formularëve të ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë, por interesimi është mjaftë i madh”, tha Baxhaku për Demokracia.com.
Kujtojmë se për më shumë së një vit, qytetarët e Kosovës nuk kanë mundur të aplikojnë për viza turistike, vetëm për raste urgjente.
Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, të cilit nuk është miratuar ende liberalizimin e vizave, pavarësisht përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimit Evropian dhe premtimit për liberalizim që nga viti 2011.
Tre vjet më parë, Komisioni Evropian rekomandoi heqjen e vizave për Kosovën. Liberalizimi u votua edhe në Parlamentin Evropian, por vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.
Skepticizmit për liberalizimin e vizave kanë shfaqur së fundit edhe shtetet si Franca dhe Holanda.