Zvicra e demanton Adnan Rrustemin: Pretendimi se nuk e pranuam akreditimin e Lajçak s’është i saktë
Sllovaku Miroslav Lajçak do të ndjekë një rrugë të re në karrierën e tij pasi hoqi dorë nga posti i ambasadorit në Zvicër ku planifikonte ta çonte Bashkimi Europian. Ndërsa e ardhmja e tij më saktë do të dihet në janar kur edhe i skadon mandati i zgjatur si emisar i dialogut Kosovë-Serbi. Sido që të jetë, Lajçak këtë vendim e mori vetë dhe nuk iu imponua as nga BE dhe as nuk u refuzua nga Berna, siç sugjeroi deputeti i Kuvendit të Kosovës nga partia në pushtet.
Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, në një postim në rrjetet sociale rreth bllokimit të rrugëve në territorin serb për kalimtarë shqiptarë, tha se Bashkimi Europian nuk po reagon me ton të njëjtë ndaj Serbisë si ndaj Kosovës. Duke akuzuar zëdhënësin e Shërbimit të Jashtëm Europian të Veprimit, Peter Stano, Rrustemi pohoi se “Zvicra nuk e do diplomatin Lajçak për ambasador”.
“Vetë Lajçak, sa ishte Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, në Beograd pati thënë që “jam këtu për të garantuar se Sllovakia kurrë nuk do ta njeh Pavarësinë e Kosovës”. Pas dështimit në dialog dhe njëanshmërisë aspak diplomatike, duket që edhe një shtet neutral si Zvicra nuk e do për ambasador”, tha Rrustemi. Deklarata e tij në Facebook u pëlqye edhe nga zyrtarë tjerë partiakë të VV’së.
Megjithatë, ky sugjerim u hodh poshtë nga Ministria e Jashtme e Zvicrës. Berna ka mohuar se ka refuzuar nominimin e Lajçakut për ambasador.
“Pretendimi se Zvicra nuk e pranoi akreditimin e z. Lajcak nuk është i saktë”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme zvicerane, Pierre-Alain Eltschinger, për Express.
Në përgjigje më tej, ai theksoi njoftimin e BE-së se arsyeja pse Lajçak s’do të shkojë në Zvicër është personale.
“Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Europian ka njoftuar më 6 shtator 2024 se ambasadori i emëruar nga BE për në Zvicër dhe Principatën e Lihtenshtajnit, Miroslav Lajçak, nuk do të marrë postin e tij në Bernë për shkak të rrethanave të paparashikuara personale”, tha ai.
Bashkimi Europian lajmëroi në prill të këtij viti që diplomatin sllovak e kishin nominuar për ambasador të BE’së në Zvicër, por në korrik njoftoi se mandati i tij si EUSR (Përfaqësues Special i BE’së) që lehtëson dialogun Kosovë-Serbi u zgjat deri në janar të vitit 2025 për të mos e lënë procesin pa emisar derisa në BE të bëhej tranzicioni i posteve pas zgjedhjeve.
Më 6 shtator, BE doli me një njoftim që përfundimisht ai s’do të jetë në Bernë, duke përmendur “zhvillimet e paparashikuara”.
“Për shkak të zhvillimeve të paparashikuara, ambasadori i caktuar i BE-së për Zvicrën dhe Principatën e Lihtenshtajnit, z. Miroslav Lajčák, përfundimisht nuk do të marrë postin në Bernë. Prandaj, mandati i ambasadorit aktual të BE-së, Petros Mavromichalis, në detyrë që nga shtatori 2020, është zgjatur deri më 31 gusht 2025”.
Zëdhënësi i BE-së Peter Stano tregoi se arsyeja e tërheqjes së Lajçak ishte vendimi i tij për ndjekjen e një rruge tjetër në të ardhmen e tij.
“Z. Miroslav Lajçak ka vendosur të tërheqë [vendimin] e pranimit të postit të tij si ambasador i BE-së në Zvicër dhe në Principatën e Lihtenshtajnit në mënyrë që të ndjekë një rrugë tjetër në karrierën e tij, pasi mandati i tij si Përfaqësues Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë i skadon në janar të vitit të ardhshëm. Ky vendim nuk ka lidhje me dialogun”, tha Stano.
Lajçak është përballur me kritika të shpeshta nga Prishtina për njëanshmëri dhe shumë herë iu përmend se vjen nga një shtet mosnjohës, duke e vënë kështu në dyshim neutralitetin e tij si ndërmjetës në mosmarrëveshjen mes Kosovës e Serbisë.
Vitin e kaluar kishte qenë vetë kryeministri Albin Kurti që e kishte akuzuar drejtpërdrejt Lajçakun se ishte koordinuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për, siç pati thënë, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e Marrëveshjes [së Ohrit] zbatohet”.
“Ai [Lajçak] pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes në veçanti”, kishte thënë Kurti në shtator të 2023-ës pas një takimi të nivelit të lartë që ishte mbajtur në Bruksel.
Sidoqoftë, Lajçak erdhi edhe disa herë të tjera në Prishtinë në takime herë me Kurtin e herë me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi.