Zvicra mbështet Kosovën me 86 milionë euro
Zvicra ka ndarë 86 milionë euro për Kosovën me qëllim të mbështetjes së projekteve të ekonomisë dhe zhvillimit të demokracisë dhe kapaciteteve ujore.
Lajmin e ka bërë me dije ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly dhe zëvendësdrejtoresha e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Ruth Huber, gjatë prezantimit të programit për vitin 2022-2025 në Kosovë.
“Kosova është bërë partner i Zvicrës dhe mendojmë që të vazhdojmë këtë miqësi, miqësi që kemi jo vetëm në aspektin e futbollit, por edhe në sfera të tjera”, ka thënë ambasadori Kolly.
Ndërsa zëvendësdrejtoresha e SDC-së, Ruth Huber, ka thënë se ky program është shumë i rëndësishëm për Kosovën.
“Historia na ka bashkuar. Po i referohem këtu diasporës, ata që janë në Zvicër, të cilët i kemi pranuar gjatë vitit ’99-të. Programi të cilin sot e kemi lansuar është shumë i rëndësishëm dhe do të jetë një progres për Kosovën në tri fusha: ujë, ekonomi dhe demokraci. Vetëm në vitet e fundit rreth 600 mijë qytetarë kanë përfituar qasje në ujë, dhe 10 mijë persona janë të punësuar. Prioriteti ynë mbetet luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe në zgjidhjen e një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë. Agresioni rus në Ukrainë na ka treguar sa e rëndësishme është demokracia”, ka thënë Huber.