Zvicra nuk pret që të dënohen Xhaka dhe Shaqiri
Vendimi i FIFA-s për t’i hetuar Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin ka shokuar Federatën Zvicerane të Futbollit.
Pak orë pasi FIFA njoftoi se do t’i hetojë lojtarët për festimet me shqiponjë pas golave ndaj Serbisë, menaxheri i kombëtares zvicerane, Claudio Sulser, që ishte drejtor i Komitetit të Etikës së FIFA-s deri më 2012 insistoi se “festimi me shqiponjë nuk ishte mesazh politik”.
“Nuk e di nëse FIFA do të intervenojë dhe sipas mendimit tim, nuk është diçka e keqe. Ishte veprim në afekt, dhe mendoj se FIFA nuk do ta hapë rastin”, ka deklaruar ai.
Siç raporton The Sun, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Zvicrës, Alex Meischer, ka thënë se ky rast nuk duhet të shikohet vetëm bardh e zi.
“Për mua nuk është sinjal politik. Duhet të shohim çfarë po bën FIFA, pastaj të shohim si janë gjykuar gjërat. Nuk mund ta imagjinoj, me vullnetin më të mirë në botë, se do të suspendohen, apo të akuzohen”, ka shtuar ai.
Kritike për veprimin e lojtarëve shqiptarë të Zvicrës ishte anëtarja e Këshillit Kombëtar të Cyrihut nga partia SVP (Partia Popullore Zvicerane), Natalie Rickli, e cila kritikoi Xhakën dhe Shaqirin për festimet e tyre pas shënimit të golave. Për këtë Meischer ka thënë se ajo thjesht po kërkon publicitet politik.