Zvicra numëron mbi 2 milionë të huaj, ja sa prej tyre janë shqiptarë të Kosovës?
Siç bën të ditur Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM) numri i të huajve që gjatë tremujorit të parë të vitit 2019 i janë bashkuar popullsisë rezidente të Zvicrës ka rënë për 0.2% në krahasim me tremujorin pararendës.
Ndërsa numri i të huajve nga vendet e BE-së dhe EFTA-s ka rënë edhe më shumë, 0.8%.
Por, rritjen e balancit të të ardhurve që ka ndodhur, e shpjegon fakti se ka pasur rënie të madhe të numrit të emigrantëve që kanë braktisur Zvicrën.
Kjo shkallë gjatë tremujorit që kaloi ka qenë 4.1%. Shifrat kanë shënuar ulje sikur te shtetasit e vendeve të BE/EFTA ashtu edhe te ata të vendeve të treta.
Si rezultat i këtyre lëvizjeve, bilanci i migrimit në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar tregon rritje prej 3.5%, ose 13.652 të huaj më tepër, shkruan albinfo.ch. Nga ky numër, 8481 persona kanë ardhur nga shtete e BE/EFTA, që përbën një rritje prej 4.6%. Nga vendet e treta kanë ardhur 1.8% më shumë të huaj. Në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2017 bilanci shënon rënie prej 6.7%.
Mbi 9500 të huaj kanë ardhur në kuadër të bashkimit familjar.
Gjithsej në Zvicër gjatë periudhës në fjalë kanë ardhur 33580 veta nga BE dhe EFTA për të filluar këtu një punë. Në krahasim me tremujorin e një viti më parë kjo kategori shënon rënie prej 1.5%.
Në kuadër të bashkimit familjar në Zvicër kanë migruar 9511 persona ose 6.6% më pak se në kuartalin e parë të vitit 2018. 20.6% të këtyre njerëzve kanë qenë pjesëtarë të familjeve të shtetasve zviceranë.
Kështu, në fund të marsit në Zvicër kanë jetuar 2 milionë e 090.669 të huaj. 1 milion e 429482 prej tyre janë shtetas të BE-së ose të EFTA-s dhe 661.187, të vendeve të treta.
Statistika të cilës po i referohemi tregon se në këtë tremujor numri i shtetasve të Kosovës që jetojnë në Zvicër ka qenë 113 mijë e 482 ose 5.4 për qind e numrit të huajve. Shtetasit kosovarë janë në vendin e pestë pas italianëve, gjermanëve, portugezëve dhe francezëve. Shtetasit e Maqedonisë (shumica dërmuese e tyre janë shqiptarë), me 66 mijë e 561 ose me 3.2%, janë në vendin e tetë për nga madhësia e komunitetit.
Përqindjen dhe numrin më të madh ashtu sikurse edhe deri tash e përbëjnë shtetasit e Italisë, 322 mijë 888 ose 15.4%. Pas tyre vijnë në radhë gjermanët me 308 mijë e 736 ose 14.8% ndërsa në vendin e tretë portugezët me 265 mijë e 621 veta ose 12.7%.