Zvicra ratifikoi marrëveshjen për sigurime sociale me Kosovën
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, ia ka dorëzuar ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçicës, notën verbale mbi ratifikimin e marrëveshjes historike për sigurimet sociale në mes të Kosovës dhe Zvicrës, marrëveshje kjo e cila tashmë është ratifikuar edhe nga shteti zviceran.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka theksuar se ky është një lajm i rëndësishëm për të gjithë qytetarët dhe shtetin e Kosovës.
“Me ratifikimin e kësaj marrëveshje më në fund triumfojë e drejta e qytetarëve për të ripërfituar nga pensionet dhe beneficionet, e drejt e cila iu mohua me vite të tëra shumë bashkëkombësve tanë të cilët për vite të tëra kanë derdhur djersën e tyre me kontributin e dhënë për shtetin Zviceran dhe për mbijetesën e familjeve të tyre në Kosovë. Falënderojmë të gjithë bashkëpunëtorët tanë për realizimin e kësaj marrëveshje dhe gjithashtu një falënderim të veçantë edhe për shtetin tonë mik Zvicrën, e cila ka shprehur gatishmërinë që të zgjidhim një herë e mirë çështjen e sigurimeve sociale, e cila do të hap rrugë për nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla edhe me shtete të tjera”, është thënë në njoftimin e MPMS-së.
Qytetarët do të njoftohen së shpejti nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, lidhur me këtë marrëveshjeje dhe të gjitha procedurat për aplikim dhe realizim të të drejtave të tyre.
/Epoka e re/