Zvicra vendi më i shtrenjtë në botë, Kosova e 124-ta
Zvicra është zyrtarisht vendi më i shtrenjtë në botë për të jetuar. Kështu është thënë në një raport të revistës “CEOWORLD”.
Pas saj renditet Norvegjia, e pasuar nga Islanda, Japonia, Danimarka, Bahamas, Luksemburgu, Izraeli, Singapori dhe Koreja e Jugut. Revista “CEOWORLD”, vlerësimin e saj e ka bazuar në disa shpenzime për jetesën, përfshirë: strehimin, veshmbathjen, ushqimet, internetin, transportin dhe ngrënien jashtë.
Këto të dhëna pastaj futen në një indeks, duke përdorur Nju Jorkun, qytetin më të shtrenjtë në botë, si pikë reference. Nju Jorku ka 100 pikë në indeks.
Rrjedhimisht, një vend me më shumë se 100 pikë është më i kushtueshëm se Nju Jorku, ndërsa me më pak sinjalizon se është më i lirë.
Në listën prej 132 vendesh, Kosova renditet e 124-ta. Sipas kësaj liste, vendet më të përballueshme për jetesë janë: Pakistani, Afganistani, India, Siria, Uzbekistani, Kirgizia dhe Tunizia.