Zvicrës i kërkohet partneritet migrimi me Kosovën
Drejtori i Zyrës Ligjore ‘First-consulting’ dhe njëherësh edhe drejtor i ‘Zërit Perëndimor të Kosovës’, Sali Bislimi, i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtori i tij, avokati Marcel Ryser, janë pritur në Bern në një takim nga zëvendëssekretari i shtetit në migracionin Federal SEM, Mario Martelli.
“Sot së bashku me bashkëpunëtorin tim avokatin z. Marcel Ryser u pritem në Bern nga zëvendëssekretari i shtetit Mario Martelli (SEM). I përkushtuar për raportet e mira mes shteteve tona dhe një komuniteti të madh shqiptar këtu, theksuam se është domosdoshmëri e kohës që të afrohemi edhe më shumë nëpërmjet punës. Shqiptarët sot e bëjë Zvicrën edhe me të pasur, dhe një partneritet migrimi do ta shpëtonte Kosovën dhe do ta ndihmonte Zvicrën sidomos në lëmin e ndërtimit, ku shqiptarët bëjnë punën më të madhe. Morëm dritën e gjelbër se do të punohet në këtë drejtim”, ka bërë me dije Bislimi.
Ai ka treguar se në këtë takim biseduan në përgjithësi për gjërat që lidhen me komunitetin shqiptar në Zvicër.
“Si zyre ligjore e specializuar në çështjet e migracionit ngritëm shumë shqetësime me të cilat përballemi çdo ditë . Bisedova për të gjitha çështjet, edhe për politika gjeostrategjike të vendit tonë ku Zvicra mund të luan një rol të rëndësishëm në rrjedhat demokratike pro perëndimore”, ka thënë Bislimi, duke shtuar se ishte një mikpritje vëllazërore nga zëvendëssekretari i shtetit zviceran, i cili ka premtuar se gjërat do të zhvillohen në drejtimin e duhur për interesin e të dyja vendeve.
“Atdheu ynë i dytë Zvicra meriton respektin. Si komb i sfiduar në histori i jemi mirënjohës sa të ekzistojë njerëzimi”, ka deklaruar Bislimi pas takimit.