Zv\ministri Çelaj, vizitë në Izrael: Të rinjtë tanë këtu mund të marrin përvoja nga teknologjia dhe ndërmarrësia
Zëvendës ministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, së bashku me prof. Blerim Rexhaj dhe Uranik Begun, kanë vizituar Azrieli College of Engineering, në Jerusalem, ku u njohën me të arriturat në fushën e ndërmarrësisë, inovacionit dhe ngritjen e kompanive start-up.
Gjatë kësaj vizite, ishte i pranishëm edhe ambasadori i Izraelit në Shkup, njëkohësisht përgjegjës për Ballkanin, Dan Oryan, ku u shpreh interesim i përbashkët për bashkëpunim me interes të përbashkët.
Ja postimi i zv\ministrit Lirak Çelaj në rrjetin social “Facebook”:
Me ftesë zyrtare nga Izraeli, nga Atobe Startup Accelerator në Azrieli College of Engineering, në Jerusalem, së bashku me prof. Blerim Rexha dhe Uranik Begu, zhvilluam takim dhe u njohëm nga afër me këtë projekt të fushës së inxhinierisë dhe teknologjisë në shërbim të ndërmarrjeve fillestare.
Në takim ishte edhe Ambasadori izraelit në Maqedoni, Dan Oryan, përgjegjës për vendet e regjionit të Ballkanit.
Nga ligjërata e ekspertëve të Atobe Startup Accelerator, si dhe prezantimit të shkëlqyeshëm të ekspertëve tanë, rikonfirmuam së bashku se ky është një shembull i mirë që duhet të ndiqet edhe nga Kosova për të përshpejtuar arritjet tona dhe bëhemi të konkurrueshëm në rajon dhe më gjerë me ndërmarrësi, inovacion, firma të vogla dhe të mesme dhe lëmenjve tjerë që ngritin mirëqenien e qytetarëve dhe mundësitë e tyre.
Së bashku, po ashtu, u dakorduam për një bashkëpunim më intensiv në të ardhmen, duke u vënë në shërbim të të rinjve tanë, me projekte e programe të cilat tashmë janë dëshmuar si të suksesshme.
Në këtë kolegj, u tha se “këtu do të gjeni vend për idetë tuaja dhe nismat sipërmarrëse, do t’ju mësojnë gjithçka që ju duhet të dini, në mënyrë që të arrini të bëheni pronar ose sipërmarrës”, është gjë e duhur për të rinjtë tanë që kanë guxim dhe dije në fushën e inxhinierisë dhe teknologjisë, duke marrë dije e njohuri të kombinuara akademike dhe ndërmarrësisë, me fokus në ndërmarrjet start-up.
Pas kësaj paraqitjeje të përbashkët, i falënderova mikpritësit tanë, duke shprehur respektin për të arriturat dhe urimin për thellimin e bashkëpunimit me interes të përbashkët për vendet dhe qytetarët tanë.