Zvogëlimi i ministrive, premtohet se nuk do të ketë largim të stafit civil nga puna
Lëvizja Vetëvendosje (LV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë dakorduar se qeveria e ardhshme të mos ketë më shumë se 12 ministri, ndërkohë është përjashtuar mundësia që stafi civil nëpër të reduktohet.
Nënkryetari i Vetëvendosjes Besnik Bislimi, ka thënë se do të ketë riorganizim të ministrive, por përjashton mundësinë që do të ketë largime nga puna për shkak të këtij riorganizimi.
Ai ka thënë se ky konsolidim ka të vetmin qëllim rritjen e efiçiencës dhe uljen e shpenzimeve në nivel ministror.
Zvogëlimin e numrit të ministrive, Jeton Mehmeti nga Instituti GAP, e sheh si pozitive. Ai ka thënë se shihet një përkushtim nga LV-ja dhe LDK-ja për të pasur një qeveri me më pak ministri, e që sipas tij, kjo do të ndikojë që të ketë kursim të buxhetit të shtetit.
Në një hulumtim që GAP-i ka bërë është thënë se me zvogëlimin e numrit të ministrive buxhetit të shtetit do t’i kursehen 15.5 milionë euro.
Më tutje, Mehmeti ka thënë se nuk e sheh problematike riorganizimin e stafit civil, pasi të ndodhë riorganizimi i ministrive.
Ai është shprehur se nuk duhet të ketë panik në mesin e shërbyesve civil se zvogëlimi i ministrive do të sjellë edhe largime nga puna.
Edhe Artan Demhasaj nga organizata “Çohu”, zvogëlimin e numrit të ministrive e ka quajtur lajm të mirë, por ka thënë se sfidë mbetet stafi civil i këtyre ministrive.
Demhasaj është shprehur se nëse do të ndodhë bartja e të gjithë stafit nga dy ministri në një, do të krijohet një ngarkim, por sipas tij largimi nga puna i stafit civil nuk është i mundur.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë duke vazhduar takimet për harmonizimin e programit qeverisës, ndërkohë që janë pajtuar se numri i ministrive të ulet në 12, numri i zëvendësministrave të jetë nga 2 për secilën ministri dhe është premtuar edhe zvogëlim i numrit të këshilltarëve politik.
Kujtojmë se Qeveria e kaluar e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ka pasur numrin më të madh të ministrive 21 gjithsej me më shumë se 80 zëvendësministra.