Zyba pas transferimit në Slovan Liberec: Do të japi maksimumin
Qëndrim Zyba ka kompletuar transferimin te skuadra çeke Slovan Liberec. Mesfushori kosovar u largua nga Ballkani, ku karrierën do ta vazhdoj në elitën e futbollit çek te skuadra bardhekaltër.
Zyba ka folur për faqen zyrtare të klubit pas zyrtarizimi si lojtari i ri i Slovan Liberec, duke thënë se pret të jap maksimumin për arritjen e objektivave të klubit.
“Shpresoj që në tri vitet e ardhshme gjithçka të shkojë sipas planit në Liberec dhe të vazhdoj të përparoj në futboll dhe të jem i suksesshëm. Më pëlqen të luaj me topin në qendër të fushës dhe sigurisht që mund të mbështes edhe sulmin, këtë do të përpiqem ta bëj edhe në Slovan”, ka thënë Zyba. Një nga mesfushorët më të mirë të futbollit kosovar ndër vite, ka thënë se pritja në Liberec ka qenë mjaftë e mirë.
“Skuadra është shumë miqësore dhe jam i lumtur për këtë sepse do të jetë familja ime”, buzëqesh mesfushori kosovar. Në të njëjtën kohë ai tregon ambiciet e tij për vitin e ardhshëm ligë: “Do të përpiqemi të bëjmë gjithçka për të qenë sa më lart në tabelë. Do të kemi nevojë për ndihmën e tifozëve, sepse kur jemi bashkë jemi më të fortë”. Zyba tashmë i ishte bashkuar skuadrës në përfundim të kampit stërvitor në Austri, para fillimit të sezonit.