Zyberaj i përgjigjet Daçiqit: Duhet të shkosh në Hagë si i akuzuar për krime lufte
Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i ka reaguar shefit të diplomacisë serbe Ivica Daçiq, i cili ka thënë se është i gatshëm të shkoj në Hagë si dëshmitar kundër UÇK-së.
Në profilin e tij në “Facebook”, Zyberaj ka shkruar se Daçiq duhet të shkojë në Hagë si i akuzuar për krime lufte. “Ivica Daçiq duhet të shkojë në Hagë si i akuzuar për faktin se ka qenë pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale që kreu krime lufte dhe masakra në Kosovë dhe për organizimin e fshehjes së trupave të shqiptarëve të vrarë nga forcar serbe. Për këto krime ai duhet të shkojë në Hagë. Ivica Daçiç dhe Vuçiç si Goebelsat të Millosheviçit bënë të njëjtën propagandë duke akuzuar për vrasjen e serbëve në Panda Cafe, një sulm terrorist që u organizua nga Inteligjenca dhe Ushtria Serbe për të filluar spastrimin etnik dhe vrasjet e shqiptarëve. Ne do paraqesim Gjykatës Speciale dokumentet dhe dosjet që tregojnë rolin e Daçiqit në krimet e luftës kundër shqiptarëve”, ka shkruar Zyberaj.
Reagimi i shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, ka ardhur pasi Zyberaj ka paraqitur në profilin e tij në “Facebook” një dokument të Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) kundër shqiptarëve.
Daçiq e ka mohuar një dokument të tillë. “Pavarësisht gjithçkaje, unë jam i gatshëm të shkoj në Gjykatën Speciale në Hagë, kam tonelata materiale që më së miri tregojnë se kush e dëboi kë nga Kosova” ka thënë Daçqiq.
Në dokumentin e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) që ka prezantuar Zyberaj paraqiten tentimet për fshehje të masakrave dhe dëbimeve masive nga shtëpitë të qytetarëve të Kosovës.