
Zyberaj përfundon mandatin trevjeçar, qeveria s’ia vazhdon
Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj ka bërë të ditur se ka përfunduar mandatin e tij tre vjeçar në ASHK.
Zyberaj ka falënderuar gjithë stafin e ASHK-së, por nuk ka lënë pa kritikuar Qeverinë e Kosovës.
“Duke u bazuar në punën që kam bërë gjatë këtyre tri vjetëve, në saje të të cilës Arkivin e Kosovës e kam nxjerr nga anonimati, si dhe rekomandimit të ministrit të MKRS-së të dt.15 dhjetor 2022, kisha besim që nga Qeveria e Kosovës, siç e parashikon Ligji për Zyrtarët Publikë, do të më rizgjatej edhe për një mandat drejtimi Arkivit. Por, Qeveria, nuk e ka vullnetin për një gjë të tillë.
Megjithatë, unë ndihem mirë, sepse gjatë këtyre tri viteve, unë jam përpjekur që të punoj me ndërgjegje dhe përgjegjësi që shkon përtej asaj që dikton detyrimi ligjor”, ka shkruar Zyberaj.
Njoftimi i plotë i Zyberajt:
Njoftim
Të nderuar miq, bashkëpunëtorë dhe të gjithë ju që në një formë ose në një tjetër, në tri vjetët e fundit, keni pas të bëni me Arkivin e Kosovës,
të premten e kaluar, me 20.1.2023, pas tri vjetësh sa ishte mandati im, përfundimisht, u përmbyll puna ime në detyrën e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.
Për mua, si për çdokënd që do të vjen pas meje, shumë pak ishin 3 vjet për të bërë gjërat e duhura për këtë institucion të rëndësisë së veçantë për shtetin dhe kombin tonë.
Deri në këtë datë, duke u bazuar në punën që kam bërë gjatë këtyre tri vjetëve, në saje të të cilës Arkivin e Kosovës e kam nxjerr nga anonimati, si dhe rekomandimit të ministrit të MKRS-së të dt.15 dhjetor 2022, kisha besim që nga Qeveria e Kosovës, siç e parashikon Ligji për Zyrtarët Publikë, do të më rizgjatej edhe për një mandat drejtimi Arkivit. Por, Qeveria, nuk e ka vullnetin për një gjë të tillë.
Megjithatë, unë ndihem mirë, sepse gjatë këtyre tri viteve, unë jam përpjekur që të punoj me ndërgjegje dhe përgjegjësi që shkon përtej asaj që dikton detyrimi ligjor. Kjo ka qenë dhe arsyeja kryesore që angazhimin dhe punën time, përkundër vështirësive burokratike dhe sidomos atyre masave kufizuese që na i diktoi pandemia Covid-19 pothuaj gjatë tërë mandatit tim, e ka karakterizuar një pasion dhe dinamikë si në asnjë institucion tjetër.
Jam i bindur se kjo gjë i ka rënë në sy një pjese të konsiderueshme të opinionit, brenda dhe jasht vendit.
Kuptohet, që për këtë gjë nuk më ka munguar as ndihma e një pjese të miqve dhe atyre që ia kanë dashur dhe ia duan të mirën këtij institucioni.
Prandaj, shfrytëzoj rastin që të gjithë ata që më kanë dhenë mbështetje në angazhimin tim gjatë këtyre 3 vjetëve (këtu hyjnë dhe mediat e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Zërin e Amerikës, Albanian Culture TV – Nju Jork) i falënderoj nga zemra.
Posaçërisht dua të falenderoj arkivat e Shqipërisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të Turqisë dhe drejtuesit e tyre zotrinjtë Ardit Bido, Emil Krsteski dhe Ugur Ynall për bashkëpunimin që kemi patur.
Në veçanti, bashkëpunimi me DPA-ne dhe z. Bido ishte i një rëndësie të veçantë me të cilin, jo vetëm që fuqizuam traditën paraprake të bashkëpunimit, por ideuam e projektuam dhe ide të reja të bashkëpunimit që do të jenë me interes për të ardhmen e dy institucioneve tona dhe përtej tyre.
Ardhshin ditë më të mira për Arkivin e Kosovës!