Zyberaj: Policët që arrestuan Gjuriqin duhet dekorohen, jo të hetohen
Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka kundërshtuar hetimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) ndaj policëve që kanë arrestuar Marko Gjuriqin.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se policët që e arrestuan zyrtarin serb duhet të dekorohen e jo të hetohen.
“Çfarëdo hetimi mbi rastin e arrestimit të Marko Gjuriq, injoron rrethanat në të cilat është ndërmarrë aksioni me rrezik potencial për jetën e policëve pjesëmarrës në këtë aksion. Vende normale, në raste kur u shkelet sovraniteti dhe integriteti i tyre, kalojnë në gjendje të jashtëzakonshme, madje edhe në nivel vendi. Në rastin në fjalë, Serbia duhet ta kuptoj, që në rrethana të jashtëzakonshme, institucionet tona të rendit dhe sigurisë do t’i japin përparësi parimit të sovranitetit dhe integritetit, para çdo parimi tjetër. Nuk mund të ketë kompromis. Andaj çfarëdo veprimi ligjor e institucional, që vije në pikëpyetje sjelljen e policisë në arrestimin e Marko Gjuriq, përpos se i paqëlluar, inkurajon raste të ngjashme. Prandaj nuk duhet bërë fjalë për hetim, por për avancim e dekorim të tyre! IPK ka mjaftueshëm punë tjera, të mençura, të cilat mund t’i bëjë!”, ka shkruar Zyberaj
/Epoka e re/