Zyberaj: S`do të lejojmë hyrjen e zyrtarëve të Serbisë për fushatë në Kosovë
Jetlir Zyberaj, këshilltari i ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka denuar përpjekjet e Serbisë për të frikësuar dhe kërcënuar politikanët e komunitetit serb në Kosovë që nuk u binden metodave komuniste të Beogradit.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se nuk do të lejohet hyrja e asnjë zyrtari shtetërorë serb në Kosovë që dëshiron të shkelë vullnetin e popullit të Kosovës.
“Serbia duhet të respektojë ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, që garanton vullnetin e lirë të njerëzve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Përpjekjet për të frikësuar dhe kërcënuar politikanët e komunitetit serb në Kosovë që nuk u binden metodave komuniste të Beogradit nuk do të tolerohen. Ne nuk do të lejojmë asnjë hyrje të zyrtarëve shtetërorë serb në Kosovë që dëshiron të shkelë vullnetin e popullit të Kosovës dhe kjo është në përputhje me shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare në komunikatën e tyre për problemet e zgjedhjeve të 2017 në zonat e banuara me serb”, ka shkruar Zyberaj.