Zyberaj: Serbia po demaskohet për njohjet, Emini: Tërheqja e njohjeve zuri Kosovën në befasi
Në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, janë gjithsej 116 shtete në listë të njohjeve për Kosovën. Por, diplomacia serbe po vazhdon që të proklamojë nota verbale të shteteve të ndryshme që e kanë tërhequr njohjen. Këtë e kanë mohuar nga Ministria e Punëve të Jashtme. Sipas MPJ-së, deklarimet e tilla janë lojë e Serbisë.
Në kohën kur Kosovës duhet t’i shtohen njohjet e reja, diplomacia serbe vazhdon të ofrojë nota verbale të tërhqjes së njohjeve të Pavarësisë së Kosovës.
Por diplomacia kosovare e thotë të kundërtën.
Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm në detyrë, ka thënë se është vetëm një lojë e Serbisë, por që nuk e zhbën shtetin e Kosovës.
“Politika e jashtme e Serbisë e udhëhequr nga ministri Daçiq ka qenë e orientuar në atë që ai e quajti “tërheqje të njohjeve”. Ne kemi qenë të angazhuar për ta demaskuar këtë kampanjë diplomatike në dëm të Kosovës”, tha për “RTV Dukagjinin”, Jetlir Zyberaj.
Zyberaj shtoi se lidershipi kosovar duhet të jetë unik në mënyrë që t’i bëjë ballë agresivitetit diplomatik të Serbisë.
“Lidershipi kosovar duhet të jetë unik dhe të përballojë bashkërisht agresivitetin e Serbisë. Kjo kampanjë nuk ka bërë asgjë më shumë se që ka prodhuar disa tituj të mediave në Kosovë e Serbi”, shtoi më tej Jetlir Zyberaj.
Ndërsa Donika Emini, drejtoreshë në CiviKos, ka thënë se tërheqja e njohjeve Kosovën e ka zënë të papërgatitur, teksa po ndodh prej atyre vendeve që nuk kanë protokoll.
“Më herët e kemi pasur rritjen e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës kurse tani kemi kaluar komplet në defanzivë. Tërheqja e njohjeve është diçka që Kosovën e ka zënë të papërgatitur. Ky proces po ndodh me vendet që nuk kanë protokoll. Këto vende marrin vendim për tërheqjen e njohjeve pa ndonjë verifikim”, shtoi më tej Donika Emini.
Zëvendëskryeministri në detyrë, Enver Hoxhaj ditë më parë ka deklaruar se së shpejti 10 shtete të botës mund ta tërheqin njohjen ndaj Kosovës.
Aktualisht, në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, janë gjithsej 116 shtete që e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.