Zyra e AKB-së në Rrafshin e Dukagjinit viziton fabrikën ‘Ritupack’, e cila është përfshirë nga zjarri
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) për Rrafshin e Dukagjinit, dr. Argjend Fetahu, i shoqëruar nga shefi i kabinetit të tij, Avdi Lala, kanë vizituar fabrikën “Ritupack” të martën në fshatin Sapniq të Komunës së Rahovecit pas përfshirjes se kësaj fabrike nga zjarri.
“Ritupack” është një fabrikë eksportuese që realizon mbi 80% të prodhimit të saj në tregjet e rajonit, duke përfshirë edhe tregun e Serbisë, një sukses që ka sjellë krenari për Kosovën.
Zjarri shpërtheu rreth orës 05:00 të mëngjesit dhe dyshohet të ketë shpërthyer për shkak të problemeve me furnizimin me energji elektrike, të cilat janë dyshimet e para për shkakun e incidentit. Roja i natës ka informuar menjëherë ekipin e zjarrfikësve, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje pas më shumë se një ore. Reagimi i ngadaltë dhe mungesa e profesionalizmit kanë ndikuar negativisht në përmasat e dëmit. Përforcime nga Gjakova, Prizreni, Malisheva dhe qytete të tjera kanë mbërritur vetëm deri në orën 09:00 për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.
Vlera e dëmit është shumë milionëshe, duke përfshirë humbjen e makinerive prodhuese që ishin të pajisura me teknologjinë më të fundit. Këto makineri ishin të investuara për të qenë sa më konkurruese në tregjet e rajonit, Ballkanit dhe më gjerë, dhe për të siguruar cilësinë më të lartë të produkteve. Po ashtu, objekti, stoku dhe landa e parë janë shkatërruar plotësisht, duke lënë pas shkrumb dhe hi. Ky dëmtim masiv ka pasur pasoja të rënda për fabrikën, e cila ka qenë burim punësimi për mbi 50 punëtorë që tani përballen me pasiguri të madhe.
Gjatë vizitës, Dr. Fetahu shprehu keqardhje të thellë për këtë ngjarje dhe theksoi rëndësinë e Ritupack si një kontribuues të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe rajonit. Ai premtoi se AKB do të jetë një zë i fuqishëm për të ndihmuar fabrikën dhe punëtorët e saj në tejkalimin e kësaj fatkeqësie.
Dr. Fetahu ka kërkuar nga institucionet kompetente që të hetojnë me urgjencë shkakun e incidentit dhe të sigurojnë një trajtim të drejtë për të gjithë ata që janë prekur nga ky zjarr tragjik. Po ashtu, ai ka theksuar nevojën për përmirësimin e shërbimeve emergjente dhe për rritjen e efikasitetit të reagimeve për të shmangur katastrofa të tilla në të ardhmen. AKB-ja do të vazhdojë të mbështesë fabrikën “Ritupack” dhe të monitorojë zhvillimet për të siguruar mbështetje dhe drejtësi për ata që janë prekur.