Zyra e BE-së në Kosovë kërkon nga deputetët ta miratojnë Kodin Civil

02 mars 2022 | 14:57

Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë u ka bërë thirrje deputetëve që të miratojnë Kodin Civil.

Në një deklaratë për media, kjo zyrë ka theksuar se dështimi i miratimit të këtij kodi do të ketë pasoja serioze negative në shumë aspekte të jetës së qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës, si dhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.

“Kodi Civil do të rregullojë konceptet juridike moderne lidhur me detyrimet kontraktuale, të drejtat pronësore, marrëdhëniet familjare dhe të drejtat e trashëgimisë. Kodi Civil sjell një avancim shumë të nevojshëm në zhvillimin e marrëdhënieve të biznesit dhe në gjendjen e disa prej sektorëve më të cenueshëm të shoqërisë kosovare, veçanërisht të grave dhe fëmijëve si dhe të personave LGBTI. Të drejtat e fëmijëve janë avancuar në tekst duke përcaktuar se organi kompetent (gjykata) gjithmonë vendos në interesin e tyre. Gjithashtu, janë sqaruar dispozitat lidhur me trajtimin e fëmijëve të braktisur ose pa përkujdesje prindërore, si dhe e drejta për t’u dëgjuar në moshën 6 vjeçare. Kur bëhet fjalë për barazinë gjinore, pasuria e përbashkët e bashkëshortëve do të jetë e barabartë (50 me 50). Për të shmangur martesat e të miturve, është e ndaluar martesa nën moshën 18 vjeçare siç rekomandohet në vendet e BE-së. Gratë kanë të drejtë për procedura të barabarta dhe transparente në lidhje me divorcin dhe trashëgiminë para noterëve dhe gjykatave”,  është thënë në deklaratën e BE-së.

Zyra e BE-së ka thënë se deputetët duhet të marrin në konsideratë këtë pjesë të rëndësishme të legjislacionit dhe të përfshijnë shoqërinë civile dhe grupet e tjera të interesit në shqyrtimin e mëtejshëm të këtij Kodi, “veçanërisht kur bëhet fjalë për garantimin e të drejtave të grupeve më të cenueshëm”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka më shumë se dy vite që koronavirusi ka goditur…