Zyra e BE-së në Kosovë organizoi tryezën me temën ‘Cilësia e arsimit në Kosovë’
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, kanë marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Bashkimi Evropian, me temën “Cilësia e arsimit në Kosovë”.
Ministri Bytyqi, me këtë rast, ka folur për reformat që po bëhen në të gjitha nivelet e arsimit, në mënyrë që fëmijëve dhe të rinjve t’iu ofrohet edukim dhe arsim cilësor.
Ministri Bytyqi përmendi fillimisht përgatitjet që po bëhen për të ofruar edukim parashkollor për sa më shumë fëmijë.
Në këtë drejtim, ai ka thënë se MAShT-i është në fazën finale të hartimit të kurrikulës për edukimin e hershëm, ndërsa përmendi si sfidë gjendjen jo të mirë të infrastrukturës.
Ministri Bytyqi ka theksuar edhe projektin që është duke u përgatitur bashkë me UNICEF-in për moshat 0-3 vjeç, ku do t’ju ofrohen prindërve informata për edukimin e hershëm përmes vizitave nëpër familje dhe materialeve.
Duke folur për arsimin parauniversitar, ministri ka theksuar disa hapa të rëndësishëm që janë duke u ndërmarrë për të evituar dobësitë në këtë nivel të arsimit.
Bytyqi ka përmendur tekstet e reja që po përgatiten në përputhje me kurrikulën e re dhe me standarde ndërkombëtare.
Po ashtu, ministri ka përmendur edhe trajnimet e mësimdhënësve, duke theksuar se tashmë bashkë me partnerët, është marrë vendim që kjo çështje e rëndësishme t’i besohet Fakultetit të Edukimit.
Ndër të tjera, ministri Bytyqi ka folur edhe për ndryshimet që po planifikohen të bëhen në qeverisjen e shkollave, përmes Udhëzimit Administrativ, me të cilin rolin kyç për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave do ta kenë prindërit.
Ministri Bytyqi ka përmendur edhe hapat që janë marrë për ndryshimin e gjendjes në arsimin e lartë dhe ndër të tjera ka theksuar hapat që janë marrë që Agjencia e Kosovës për Akreditim të ketë një rol shumë të rëndësishëm për të siguruar cilësi në arsimin e lartë.
Ndërkaq, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se arsimi cilësor është krucial për zhvillimin e vendit.
Ajo ka përmendur investimet që janë bërë nga ana e Bashkimit Evropian, ndërsa ka theksuar se edhe pse ka lëvizje pozitive në arsim, ka nevojë për reforma për të përmirësuar gjendjen.
/Epoka e re/