Zyra e emisarit Grenell jep një përgjigje për letrën e Kurtit dërguar Pences

07 maj 2020 | 11:48

Nga zyra e emisarit amerikan Richard Grenell nuk kanë pranuar ta komentojnë fare letrën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dërguar në adresë të zëvendëspresidentit amerikan Mike Pence, në të cilën lideri i LV-së ishte ankuar se Thaçi ka keqinformuar Grenellin rreth idesë së shkëmbimit të territoreve.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence, në të cilën ka shprehur shqetësimet e tij se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka keqinformuar emisarin e Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, rreth çështjes së shkëmbimit të territoreve.

Dërgimin e letrës dhe përmbajtjen e saj e kanë shpjeguar edhe nga zyra e kryeministrit në detyrë.

“Ai (Kryeministri Albin Kurti) nuk është ankuar për Ambasadorin Grenell, por ka shprehur shqetësimin e tij mbi planet e Presidentit Thaçi për shkëmbim territorial, eufemizëm për ndarje të Kosovës, për të cilat nuk e ka informuar si duhet Ambasadorin Grenell”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit për Kallxo.com.

Përveç të tjerash në këtë letër, Kurti ka shprehur shqetësimet e tij për veprimet e presidentit Thaçi rreth krijimit të qeverisë së re pas realizimit të mocionit të mosbesimit.

Gazeta Express lidhur me këtë letër të Kurtit në drejtim të zv/presidentit amerikan Pence të mërkurën ka kontaktuar me zyrën e emisarit të Trumpit, Richard Grenell, për të pyetur nëse janë në dijeni të një komunikimi të tillë të Kurtit me njeriun e dytë të administratës së Trumpit.

Dick Custin, zëdhënësi i Përfaqësuesit Special Presidencial të ShBA’së për dialogun Kosovë – Serbi, ka thënë se asnjëherë s’i komentojnë komunikimet personale diplomatike.

“Ne asnjëherë nuk komentojmë çfarëdo komunikimi personal diplomatik i cili mund ose s’mund të ekzistojë”, thuhet në përgjigjen e Custin për Gazetën Express.

Për letrën e Kurtit drejtuar Pence sot ka folur edhe kreu i shtetit, Hashim Thaçi.

Presidenti ka thënë se Kurti mund t’i shkruajë kujtdo që dëshiron por, sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin realitetin në Kosovë.

“Institucionet e Kosovës dhe populli i Kosovës ka pasur gjithmonë besim në përkushtimin dhe rolin e ShBA-së. Nuk janë me rëndësi deklarimet e Beogradit, sa është me rëndësi uniteti. Sa iu përket letrave që theksuat, unë nuk jam duke lexuar, nuk i kam pasur nëpër duart e mia. Është e lirë që t’i shkruajnë kujtdo çkado. Nuk e kam ndërmend të merrem me këto letra. ShBA-ja e njeh realitetin në Kosovë shumë mirë dhe të gjithë të tjerët” është shprehur sot presidenti Thaçi në një konferencë për media.

Që nga ulja e Kurtit në karrigen e kryeministrit, përplasjet e tij me presidentin Hashim Thaçi rreth asaj se kush duhet të udhëheqë dialogun me Serbinë kanë qenë të vazhdueshme.

Kurti kishte propozuar një ekip për dialogun, duke e vendosur veten në krye, mirëpo një gjë e tillë nga presidenca ishte interpretuar vetëm si një dëshirë e Kurtit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Psikologia Antigona Qenaj-Sejdiu ka folur për gjendjen që mund të…