Zyra e kongresistit amerikan konfirmon se ka pranuar kërkesën e Behramit për të hetuar Jack Smithin
Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Artan Behrami ia ka dërguar një letër zyrës së kongresistit Republikan, Keith Self, i cili është kryetar i Nënkomitetit për Çështje të Jashtme të Dhomës për Evropë.
“Kërkesë për hetim mbi rolin e z. Jack Smith në shpërbërjen e procesit të paqes – 2020”, mban titullin letra e Behramit!
Behrami në këtë letër të gjatë shpjegon të gjitha arsyet që çuan në dështimin e samitit të paqes, i organizuar nga Presidenti Trump më 2020, pasi Gjykata Speciale kundërligjshëm kishte publikuar një njoftimin që ndaj Presidentit Thaçi është ngritur një aktakuzë.
Sot, Behrami ka informuar opinionin publik se ka marrë konfirmimin nga zyra e kongresmenit amerikan, Keith Self, se kërkesa e tij për të hetuar Jack Smith është dërguar në Departamentin Ligjor të Kongresit, ku pritet të shqyrtohet.
“Mbrëmë kam marrë konfirmimin nga zyra e kongresmenit amerikan, Keith Self, se kërkesa ime për të hetuar Jack Smith është dërguar në Departamentin Ligjor të Kongresit, ku pritet të shqyrtohet”, ka shkruar Behrami në “Facebook”.
Ai ka thënë se kjo është vetëm iniciativa e parë e tij dhe nuk do të ndalet as brenda Kuvendit për të adresuar padrejtësitë e Gjykatës Speciale.
“Kjo është vetëm iniciativa e parë. Nuk do të ndalem as brenda Kuvendit për të adresuar të gjitha padrejtësitë e katër vjetëve të fundit të Gjykatës Speciale”, ka shkruar Behrami.