Zyra e Kryeministrit deklarohet për takimin në Bruksel: I dorëzuam propozimet tona për dinarin
Pas takimit të sotëm në Bruksel ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, ku u diskutua për çështjen e dinarit, Zyra e kryeministrit Albin Kurti, ka lëshuar një deklaratë me detaje.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kosova ka dorëzuar propozimet dhe idetë për dinarin, për të cilat specifikon se janë në linjë me rregulloren e BQK-së, ku përmbajtja e së cilës nuk diskutohet.
“Takimet u zhvilluan në format trilateral e bilateral. Tema e takimeve ishte gjetja e një zgjidhjeje për formën e dërgimit të mbështetjes financiare për komunitetin serb, brenda rregullores së Bankës Qendrore. Pala jonë, i ka dorëzuar propozimet e idetë e saj rreth çështjes e në takimet e sotme i prezantoi e argumentoi ato. Propozimet tona janë në linjë me rregulloren e BQK-së, për të cilën ritheksojmë se përmbajtja e së cilës nuk po diskutohet.”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, ZKM ka njoftuar se javën e ardhshme do të zhvillohet një takim.
“Nga lehtësuesi i procesit është vënë në dukje se propozimet e palëve nuk janë përafruar ende dhe paraqitet nevoja për potencialisht një takim të radhës për javën e ardhshme”, është thënë në njoftim.
Edhe ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka folur pas takimin ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në Bruksel për dinarin, që përfundoi pas ndonjë marrëveshje mes palëve.
Ai ka patralajmëruar një takim tjetër për javën e ardhshme, ku shpreson se do të gjendet një zgjidhje.
“Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë prezantuar sot propozimet për rrugën përpara për personat e prekur nga rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme. Diskutimet tona të gjata ndihmuan për të sqaruar detaje të rëndësishme. U pajtuam që javën e ardhshme të takohemi me shpresën se do të gjejmë një zgjidhje.”, ka shkruar Lajçak.