Zyra e kryeministrit Haradinaj: Çështja e vizës është ende në procedurë
Mos shkuarja e kryeministrit Ramush Haradinaj për vizitë në shtetin e Iowa-s në SHBA, është bërë një nga top lajmet në mediat tona.
E mos pjesëmarrja e Haradinajt në këtë vizitë, po del të jetë për shkak të vizës, pasi që u raportua se ambasada e Amerikës i ka refuzuar vizën kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj.
Madje këtë e konfirmoi edhe një zyrtar nga Garda Nacionale në Iowa të SHBA-së, Greg Hapgood, i cili tha se kryeministri Haradinaj ka anuluar vizitën në këtë shtet për shkak të vizës.
“Kryeministri Haradinaj ka qenë i ftuar nga gjenerali Orr në atë ngjarje, mirëpo është për keqardhje që ai nuk ka mundur ta marrë vizën dhe të jetë së bashku me ne”, ka thënë Hapgood për Radio Evropa e Lirë.
Mirëpo një gjë të tillë e kanë mohuar nga zyra e kryeministrit Haradinaj.
Zëdhënësi i qeverisë, Arbër Vllahiu ka thënë për “Telegrafin”, se kryeministrit Haradinaj nuk i është refuzuar viza nga ambasada e Amerikës.
“Gjithçka është ende në procedurë të pritjes”, ka thënë Vllahiu.
Haradinaj pritej të merrte pjesë më 11 janar në një ngjarje të organizuar nga Komandanti i Gardës Nacionale në Iowa, Timothy E. Orr.