Zyra e kryeministrit jep detaje nga takimi i Kurtit me zyrtarin e lartë amerikan

10 janar 2025 | 15:52

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, kanë mirëpritur në takim zëvendëssekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Menaxhimin dhe Resurset, Richard Verma, i shoqëruar nga zëvendësndihmës sekretari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.

Duke i uruar mirëseardhjen në këtë vizitë të parë në Kosovë, kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të ShBA-së ndaj Kosovës dhe për partneritetin në mes të dy vendeve tona në të gjitha etapat shtetndërtuese, si aleati ynë kryesor dhe strategjik.

“Ky takim që u zhvillua në kryeministri, u mbajt pas ngjarjes e lansimit të fazës së parë të parakualifikimit për dizajnimin dhe ndërtimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë përmes baterive (BESS) në kuadër të marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit me vlerë prej 236.7 milionë dollarë. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti i falënderoi ShBA-të për mbështetjen e tyre dhe përkrahjen në kuadër të projekteve të energjisë. Bashkë diskutuan edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve tona, për mundësi të reja për avancimin dhe thellimin e tyre dhe për përfitimet nga Dialogu Strategjik. U theksuan edhe veprimet e shpejta të ndërmarra nga Republika e Kosovës për strehimin e refugjatëve afganë dhe rreshtimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian në dënimin dhe sanksionimin e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Sipas këtij njoftimi, “kryeministri Kurti e ka njoftuar zëvendëssekretarin Verma mbi zhvillimin dhe progresin që ka njohur Kosova në katër vitet e fundit, teksa mbetemi të orientuar kah synimet strategjike të anëtarësimit në NATO dhe BE”.

“Me rritjen ekonomike në njërën anë dhe progresin demokratik në anën tjetër, Kosova ka dëshmuar që zhvillimi ekonomik dhe përparimi demokratik shkojnë krah për krah, u shpreh kryeministri. Në takim gjithashtu u diskutua edhe për bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet fqinjësore dhe procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kryeministri vuri theksin te shkeljet e vazhdueshme të Serbisë ndaj marrëveshjes bazike, që vijnë si rezultat edhe i mosnënshkrimit të saj dhe aneksit të zbatimit, si dhe mosdorëzimin e kryeterroristit Millan Radoiçiq dhe grupit të tij përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023 ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

10.1.2025-ZKM-5-2

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka…