Zyra e kryeministrit rishpall konkursin për anëtarë të OSHP-së, kriteret mbesin të njëjta
Në Kuvendin e Kosovës ditë më parë ka dështuar për të dytën herë votimi për emërimin e pesë anëtareve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e cila ka shumicën në Parlament, nuk kishte votuar për kandidatët për anëtarë të Bordit të OSHP-së, ani pse të gjitha procedurat ishin udhëhequr nën qeverisjen e tyre, pasi konkursin e parë e kishin anuluar.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës, ka hapur konkurs të ri për përzgjedhjen e kryetarit dhe katër anëtarëve të OSHP-së
Konkursi është hapur më datë 10 dhjetor dhe aplikimet mund të behën deri më 24 dhjetor.
Kriteret e konkursit janë po ato të njëjtat që kanë qenë edhe herën e kaluar.
Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancës së datës 6 dhjetor, me 2 vota për, 64 vota kundër dhe 1 abstenim nuk ka emëruar kryetarin dhe katër anëtarët.
Kandidat për kryetar ishte Ardian Beha, ndërsa kandidatë për anëtarë ishin: Hasim Krasniqi, Faruk Rexhaj, Adem Spahiu dhe Ruzhdi Morina.
Lajmi.net ka mësuar se partia në pushtet nuk ishte pajtuar me dy prej emrave të kandidatëve të propozuar nga ana e komisionit, në përbërje të gjykatësit, Hajriz Hoti nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ndërsa përfaqësuesit e projektit të Ambasadës Britanike kishin propozuar dy anëtarë tjerë. Të dy komisionet kanë pasur tre emra të njëjtë.
Më të ardhur në pushtet, kryeministri Kurti kishte anuluar konkursin e hapur për anëtarë të Bordit, dhe kishte shpallur konkurs të ri.
Ndonëse, partia në pushtet nuk ka votuar anëtarët e propozuar, mbetet të shihet se si do të procedohet tutje, ngase kriteret e konkursit janë të njëjta njësoj siç janë edhe procedurat e rekrutimit. Mbetet të shihen edhe emrat që do të jenë në garë.
Lajmi.net para pak ditësh ka pyetur Ambasadën Britanike, nëse do të marrë pjesë përsëri në rekrutim, pas dështimit të konkursit.
Merita Salihu-Munipi nga zyra për marrëdhënie me publikun e Ambasadës Britanike në Kosovë ka thënë se, projekti i rekrutimit i Ambasadës Britanike i implementuar nga ekspertët britanikë ka mbështetur institucionet e Kosovës që të hartojnë dhe zbatojnë procese të drejta dhe meritokratike të rekrutimit.
“Këto parime janë zbatuar në procesin e rekrutimit të kryesuesit dhe anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit OSHP-së, gjë që ka rezultuar me një numër të kandidatëve të rekomanduar për emërim.
Vendimmarrja për këtë, por edhe për të gjitha proceset tjera të rekrutimit, i takon institucioneve të Kosovës. Megjithatë, qëndrimi ynë i vazhdueshëm për raste të tilla është se projekti i Ambasadës Britanike nuk do të jetë në gjendje të mbështesë përsëri procesin, në rastet kur rekrutimi ka përfunduar me sukses dhe ka rezultuar me kandidatë që janë të emërueshëm”, tha Salihu -Munipi pa dashur të komentojë dështimin e votimit në Kuvend të emrave për anëtar të Bordit të OSHP.
Derisa të zgjidhet Bordi i ri, më së shumti po e pësojnë projektet kapitale, ngase ka zvarritje në implementimin e tyre për shkak të vonesave të ankesave që adresohen në OSHP, të cilat mund të trajtohen vetëm nga Bordi. Pos kësaj, është rritur edhe dyshimi për procedim të kundërligjshëm nga ana e zyrave të prokurimeve. Nga data 1 janar 2021, deri më tani në OSHP janë adresuar mbi 900 ankesa.