Zyra e kryeministrit sqaron kontratën për furnizim me arkivole për rastet e rivarrimeve
Zyra e Kryeministrit ka sqaruar kontratën për furnizim me arkivole dhe shërbime përcjellëse të rivarrimit.
Kjo zyre thekson se që nga viti 2009 me kërkesë nga Komisioni Qeveritarë për Persona të Zhdukur dhe në zbatim të ligjit Nr. 04/ L-023 dhe kryerjes së obligimeve institucionale, obligimeve njerëzore ka pasur kërkesa për kontrata afatgjate, për furnizim me arkivole dhe shërbime përcjellëse të rivarrimit.
“Kërkesa për kontratën e re, është bazuar pikërisht në nevojë dhe procedurë paraprake dhe në asnjë rast, nuk thotë që shpenzohen të gjitha mjetet, por cili do të ishte kufiri i shpenzimeve për shërbime 3 vjeçare. Reagimi, për një kontratë, më shumë se sa obliguese, dhe për një temë tejet të dhimbshme për popullin tonë, është i patakt!”
“Përmes këtij programi / kontrateje, janë kryer shërbimet e rivarrosjes për luftëtarët në Kompleksin Memorial në Morinë, për rivarrimet e të rënëve në Çabrat të Gjakovës dhe për heronj e dëshmorë të tjerë të vendit dhe po me këtë kontratë, përveç arkivoleve parashihen edhe procedura dhe shërbime të tjera përcjellëse, siç janë murosja apo mbyllja e varreve dhe logjistika me qëllim nderimi, siç janë lulet dhe famujt”.
“I gjithë ky shërbim, bëhet në përkrahje të familjeve të personave të zhdukur dhe të rënëve, në organizimin e ceremonisë së rivarrimit, gjithmonë sipas kërkesës së familjarëve. I gjithë ky shërbim, është obligim i yni ndaj familjeve të personave të Pagjetur”, thuhet në sqarimin e Zyrës së Kryeministrit.
/Epoka e re/