Zyra e kryeministrit tregon pse u shkarkua sekretari i Ministrisë së Integrimeve
Komisioni Disiplinor për Pozita të Nivelit të Lartë Drejtues, që kryesohet nga Haki Abazi, zëvendëskryeministër, ka shkarkuar Kushtrim Cukajn nga detyra e sekretarit të Ministrisë së Integrimeve.
Zyra e kryeministrit përmes një komunikate thotë se ndërprerja e marrëdhënies së punës për Kushtrim Cukajn u bë për shkak të shkeljeve të rënda dhe të shumta të detyrave të punës gjatë ushtrimit të funksionit të tij në këtë pozitë.
“Shkeljet e konstatuara kanë të bëjnë me keqadministrimin në lidhje me kontratat e lobimit, kontratat mbi qiradhënien e objektit për MIE dhe kontratat për marrëveshje të veçanta të shërbimeve në administratën e institucionit; shkaktimin e dëmit financiar ndaj MIE-së; shkeljen dhe mos-përfilljen e obligimeve që burojnë nga marrëveshja ndërkombëtare nga projekti Skema Profesionistët e Rinj; shkeljen e Kodit të Mirësjelljes në Shërbimin Civil; marrjen e masave disiplinore në mënyrë të jashtëligjshme ndaj stafit të MIE-së; mos-kryerjen e obligimeve për vlerësimin e rregullt vjetor sipas procedurave ligjore; komunikimin joprofesional në raport me partnerët e jashtëm; si dhe refuzimin për të zbatuar vendimin administrativ të formës së prerë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.