Zyra e Presidentit dorëzoi komentet në Gjykatën Kushtetuese për dekretin e Thaçit
Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës, ka bërë me dije se të premten ka dorëzuar komentet në Gjykatën Kushtetuese përkitazi me meritat e kërkesës së pretendimeve të parashtruesve të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit nr. 24/2020 të Presidentit të Republikës së Kosovës, dt. 30.04.2020, me të cilin dekret, sipas propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti i është propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për kryeministër për të formuar qeverinë e re.
Sipas kësaj zyre, presidenti i Republikës së Kosovës e ka nxjerrë këtë dekret pas konsultimit me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend dhe pajtimit të shumicës absolute të tyre për të formuar Qeveri të re.
“Si përfaqësues i unitetit të popullit dhe garantues i funksionimit demokratik dhe kushtetues të institucioneve, Presidenti përmes nxjerrjes së dekretit nr. 24/2020 ka vepruar në kuadër të kompetencave të tij të përcaktuara me Kushtetutë dhe sipas standardeve të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO103/14”, ka njoftuar Zyra e Presidentit. (L.G: ‘Epoka e re’)