Zyra e prokurorit të Nju Jorkut: Trumpi dha të dhëna fiktive mbi vlerën e pasurive të tij
Zyra e prokurorit të përgjithshëm të Nju Jorkut njoftoi gjykatën të martën vonë në mbrëmje se hetuesit kishin gjetur prova se kompania e ish-presidentit Donald Trump kishte përdorur të dhëna fiktive mbi vlerën e pasurive të tij, me qëllimin për të marrë kredi e siguruar përfitime tatimore.
Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë zyra e prokurorit nuk ka vendosur ende nëse do të ngrejë një padi civile në lidhje me akuzat, por hetuesit po kërkojnë të marrin në pyetje Trump dhe dy fëmijët e tij më të mëdhenj.
Ish-presidenti Donald Trump dhe avokatët e tij kanë thënë se hetimi ka motive politike.
Zyra e prokurores së përgjithshme, Letitia James, ka thënë se kompania e Trumpit ka ofruar të dhëna false mbi sipërfaqen e një apartamenti luksoz në pronësi të tij, që ndodhet në lagjen Manhatan të Nju Jorkut, duke e raportuar atë si rreth trefish më të madhe sesa sipërfaqja reale, një ndryshim në vlerë prej rreth 200 milionë dollarësh.
James citonte mbi këtë çështje dëshminë e dhënë nga kryefinanciari për një kohë të gjatë i organizatës Trump, Allen Weisselberg, i cili u akuzua vitin e kaluar për mashtrim me taksat në një hetim penal paralel.
Zyra e zonjës James detajoi gjetjet e saj në një kërkesë paraqitur gjykatës, nëpërmjet së cilës kërkon të sigurojë marrjen në pyetje të Trumpit, vajzës së tij Ivanka Trump si dhe djalin e tij Donald Trump Jr./VOA/