Zyra e sekretarit të Kuvendit: Qeveria Hoti mori 61 vota
Zyra e sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka sqaruar se bazuar në praktikën e deritashme të Kuvendit, votimi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, të nënkryetarëve të Kuvendit dhe të qeverisë, bëhet me dorë.
Pas interesimit të medieve rreth votimit të qeverisë, Zyra e sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, ka bërë me dije se Qeveria Hoti është votuar me 61 vota, ku në seancë kanë marrë 87 deputetë.
Sqarim lidhur me rezultatin e votimit në seancën e sotme të Kuvendit:
Zyra e sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës
Bazuar në praktikën e deritashme të Kuvendit, votimi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, të nënkryetarëve të Kuvendit dhe të qeverisë, bëhet me dorë.
Rrjedhimisht, Kuvendi nuk ka mbajtur as nuk mban evidencë me emra të deputetëve, të cilët marrin pjesë në këto votime.
Megjithatë, për shkak të interesimit të madh të medieve dhe kohës së gjatë deri në nxjerrjen e transkriptit, po pasqyrojmë rezultatet e votimit në seancën e sotme të jashtëzakonshme (03. 06. 2020), për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, sipas grupeve parlamentare:
GP i LDK-së: prezentë 26 deputetë, munguan: Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli
Votimi: 25 për, 1 abstenim
GP i PDK-së prezentë: 24 deputetë
Votimi: 24 kundër
GP i AAK-së: prezentë 13 deputetë
Votimi: 12 për (deputetja Donika Kadaj-Bujupi e ka liruar sallën në kohën e votimit)
GP NISMA + AKR: prezentë 6 deputetë
6 për
GP i Listës Serbe: prezentë 10 deputetë
Votimi: 10 për
Minoritetet jo serbe: prezentë 8 deputetë. Munguan: Zikreta Aliti dhe Elbert Krasniqi
Votimi: 8 për
Rezultati përfundimtar:
Prezentë në sallë kanë qenë 86 deputetë
61 deputetë kanë votuar PËR
24 deputetë KUNDËR
1 deputet ka ABSTENUAR