![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2019/06/universiteti-isa-boletini.jpg)
Zyra Kombëtare e Auditimit pa vërejtje për universitetin “Isa Boletini”
Në raportin e publikuar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), si nënprogram i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për financat në vitin 2018, nuk është adresuar asnjë çështje.
Auditori gjatë ekzaminimit të dokumentacionit të prezantuar bazuar në standardet e aplikuara ka dhënë opinion të pamodifikuar me arsyetim se dokumentacioni dhe dosjet e kërkuara janë përgatitur në të gjitha aspektet materiale, në pajtimin me kornizën e zbatueshme financiare.
Rektori i UMIB-it, Alush Musaj, ka theksuar se raporti i auditimit që nuk ka dhënë asnjë vërejtje të vetme, tregon për profesionalizmin dhe menaxhimin e suksesshëm në këtë institucion.
Ai ka vlerësuar përkushtimin e stafit përgjegjës, të cilët kanë bërë një punë jashtëzakonisht të mirë në këtë drejtim.
Ndërsa, drejtori për Financa në UMIB, Besim Kurti, ka theksuar se procesi i auditimit është kryer në përputhje me standardet ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit (SNISA).
“Sipas këtyre standardeve është prezantuar dhe kontrolluar dokumentacioni i kërkuar duke dhënë mundësinë e konsultimeve të përgjegjësve që mbulojnë fushat që ishin objekt i kontrollit. Dosjet e kërkuara ishin të mjaftuara që auditori i përgjithshëm të jep opinion profesional lidhur me menaxhimin financiar”, ka thënë Kurti
Sipas tij, procesi i auditimit ishte i bazuar në dokumentet që rregullojnë funksionimin financiar në UMIB.
Në këtë kontekst, objekti i kontrollit ishin planifikimi, menaxhimi, shpenzimet, burimi i të hyrave dhe kontrolli financiar i aktiviteteve të realizuara në të gjitha kategoritë ekonomike.
Gjithashtu janë audituar rregulloret e aprovuara, kompensimet etj, për të cilat nuk janë gjetur vërejtje.
Vërejtje nuk janë gjetur as për Strategjinë Zhvillimore për Universitetin e Mitrovicës për vitet 2018-2021, në fushën e buxhetit dhe proceseve të cilat ndërlidhen me planet strategjike të aprovuara nga MAShT.
Kurti ka pohuar se auditori nuk kishte vërejtje dhe komente lidhur me planifikimin, përformancën dhe indeksin e realizimit të buxhetit për vitin fiskal 2018.
/Epoka e re/