Zyra Kombëtare e Auditimit rrit numrin e auditimeve të performancës
Auditimi i performancës në sektorin publik është një faktor i rëndësishëm për të bërë ndryshimin në jetën e qytetarëve.
Ky lloj auditimi i mban të fokusuar zyrtarët përgjegjës në sektorin publik për përdorimin e fondeve publike bazuar në parimin e ekonomisë, efikasitetit dhe efektivitetit.
Me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe promovimit të standardeve më të larta për transparencë dhe llogaridhënie, Zyra Kombëtare e Auditimit, i ka dhënë fokus të veçantë auditimeve të performancës, raporton “Epoka e re”.
“Gjatë vitit 2018, janë publikuar 13 raporte të auditimit të performancës duke mbuluar fusha të rëndësishme si ekonomia dhe mirëqenia sociale, shëndetësia, arsimi, mjedisi, teknologjia informative dhe prokurimi publik. Në këto auditime janë dhënë 175 rekomandime relevante për palët përgjegjëse. Rekomandimet kanë për qëllim përmirësimin e mangësive apo problemeve të identifikuara nga auditimet dhe zbatimi i tyre do të ndikojë pozitivisht në menaxhimin efikas dhe efektiv të programeve qeveritare dhe arritjen e vlerës për paranë e shpenzuar”, është thënë në njoftimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
ZKA-ja në përcaktimin e temave të auditimit të performancës për vitin 2018 ka zhvilluar një dialog efektiv me palët e interesit si Kuvendin, përkatësisht komisionet parlamentare, shoqërinë civile dhe donatorët.
Kjo sipas ZKA-së është bërë me qëllim që t’u përgjigjet në mënyrë adekuate pritjeve të palëve të interesit, shqetësimeve të qytetareve, si dhe rreziqeve të shfaqura ndaj mjediseve të ndryshme.
“Kjo ka ndikuar që të rritet numri i raporteve të auditimit të performancës të shqyrtuara në komisione parlamentare dhe të rritet llogaridhënia në sektorin publik”, është thënë në njoftimin për media.
Auditimet e performancës të kryera nga Zyra Kombëtare e Auditimit janë shqyrtime të pavarura, objektive dhe të besueshme që vlerësojnë nëse sistemet, operacionet, programet dhe aktivitetet e institucioneve publike janë në përputhje me parimet e ekonomisë, efikasitetit, efektivitetit. Adresimi i rekomandimeve të auditimit ndihmon institucionet të përmirësojnë performancën e tyre, të jenë më transparente dhe të arrijnë rezultate më të mira.
/Epoka e re/