Zyra për monitorim e të drejtave të pasagjerëve do të menaxhohet nga MI-ja
Ministri i Infrastrukturës (MI), Pal Lekaj, ka vizituar Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku është pritur në takim nga anëtari i Bordit të drejtorëve dhe kryeshefi ekzekutiv i këtij aeroporti, Haldun Firat Kokturk, me të cilin ka biseduar për mundësitë e avancimit të shërbimeve për pasagjerët.
Gjatë kësaj vizite, Lekaj dhe Kokturk kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, me ç’rast ministrit të Infrastrukturës i janë dorëzuar çelësat e Zyrës për monitorim e të drejtave të pasagjerëve, e cila tash e tutje do të jetë në shfrytëzim të kësaj ministrie, respektivisht nga Departamenti i Aviacionit Civil.
Ministri Lekaj duke e falënderuar kryeshefin Kokturk për bashkëpunimin e vazhdueshëm, ka thënë se me vendosjen e zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës në ambientet e aeroportit, qytetarët do të kenë mundësi ku t’i parashtrojnë ankesat dhe do të udhëzohen nga kjo zyre në lidhje me të drejtat e tyre që iu takojnë.
Më tutje, Lekaj e ka përgëzuar menaxhmentin e ANP “Adem Jashari” për rritjen e numrit të pasagjerëve për 15 për qind, krahasuar me vitin e kaluar.
Ai ka thënë se ky rezultat jep mesazhin që ANP “Adem Jashari” është qendër e pasagjerëve që e lidhë Prishtinën me botën.
Ndërsa lidhur me mashtrimet e pasagjerëve nga persona dhe kompani të ndryshme, Lekaj ka thënë se kjo dukuri është reduktuar në mënyrë drastike, krahasuar me vitet e kaluara/
Në anën tjetër, kryeshefi ekzekutiv i ANP “Adem Jashari”, Haldun Firat Kokturk, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes dhe dorëzimit të çelësave të zyrës, tek ministri Lekaj, ka deklaruar se rritja për 14.5 për qind e numrit të pasagjerëve tregon se ky vit ka qenë goxha i ngarkuar për këtë aeroport.
Sa i përket Zyrës për monitorim e të drejtat të pasagjerëve, e cila nga e premtja është në dispozicion të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Kokturk ka thënë se kjo zyre krijon kontakt të drejtpërdrejt në mes të MI-së dhe pasagjerëve në adresimin dhe zgjidhjen e shqetësimeve të tyre.
/Epoka e re/