Zyrapi: Inspektori i përgjithshëm nuk ka ekzistuar në vitin 1998 derisa është ristrukturuar UÇK-ja

10 korrik 2024 | 12:25

Dëshmitari Bislim Zyrapi, ka thënë se funksioni i Inspektorit të Përgjithshëm nuk ka ekzistuar gjatë vitit 1998 deri në momentin kur është ristrukturuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) në nëntor të po të njëjtit vit.

Fillimisht, avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, ka pyetur dëshmitarin se a është e vërtetë që as në armatën jugosllave dhe as në atë boshnjake nuk ka ekzistuar roli i Inspektorit të Përgjithshëm përpara vitit 1998, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Është e saktë që nuk ka ekzistuar. Faktikisht në ish-armatën jugosllave ka ekzistuar sektori, aty i kanë thanë Inspektori Gjeneral i Sekretariatit të Mbrojtjes që është faktikisht i njëjti veprim i detyrës. Në armatën boshnjake nuk ka ekzistuar. Tek ne, në kohën e ‘98-s nuk ka ekzistuar përpara se të ristrukturohet Shtabi i Përgjithshëm dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Me strukturimin e saj është vendosur të ketë edhe inspektorin e përgjithshëm si në çdo ushtri që kontrollon dhe inspekton ushtrinë”, ka thënë dëshmitari.

Sipas Roberts, për ZPS-në dëshmitari kishte thënë se nuk kishte rol të Inspektorit të Përgjithshëm në UÇK përpara se të merrej ky rol nga Selimi.

“Po e saktë është”, është përgjigjur dëshmitari.

Zyrapi gjithashtu ka treguar se me çfarë merrej Selimi gjatë ‘98-ës përpara se ky të largohej në Shqipëri.

“Kur e kam marrë detyrën nga zotëri Bashota. Këtë rolin e inspektorit nuk e di se nuk ka pas strukturë atëherë. Nuk e kam njohur strukturën çka ka qenë më herët dhe s’di cilën detyrë e ka marrë pastaj, por e di që prej korrikut në këtë kohë ka qenë së bashku me mua që me ka ndihmuar për t’u njoftuar me njësitë lokale. Dhe normalisht gjatë veprimit me operacionet se nuk ka pas mundësi tjetër veprim të bëhet se veç sulmet kanë filluar nga mesi i korrikut dhe deri kur kam dalë unë kemi pas sulme tanë kohën dhe çdo herë jemi kanë në vijat e frontit. Kështu që nuk kemi ushtruar ndonjë detyrë tjetër të veçantë përveç ndihmës si çështje operative në zonat që kemi ofruar dhe shtabe”, ka thënë Zyrapi.

Dëshmitari Zyrapi ka mohuar të ketë parë ndonjë vendim zyrtar në atë kohë që Selimi ishte emëruar inspektor i përgjithshëm.

“Jo, në atë kohë nuk e kam parë. Si inspektor të përgjithshëm e di që kur kemi filluar ristrukturimin e Shtabit të Përgjithshëm atëherë është shpalos që ka si inspektor të përgjithshëm dhe është vendos Selimi”, ka thënë ai.

Nga mesi i shtatorit dhe në tetor të atij viti, dëshmitari ka pohuar se ka qenë në Shqipëri dhe ndonëse ka pasur luftime nuk e di se çfarë ka bërë Selimi gjatë kësaj kohe.

“Sa ka qenë me mu, tanë kohën ka qenë në front edhe çdo herë ka qenë tek vija e frontit ku ka pas nevojë të ndihmohet normalisht”, ka thënë Zyrapi.

Përpara temës së Inspektorit të Përgjithshëm, Roberts i ka thënë dëshmitarit se për ZPS-në kishte thënë se rrëmbimi i civilëve ishte njohuri e përgjithshme në zonë dhe si rrjedhojë e ka pyetur dëshmitarin se a e kishte fjalën vetëm për territorin e Rahovecit.

“Po normalisht e kam thënë. Ishte konkret për atë kohë dhe atë moment dhe jo për territorin e Kosovës në tërësi”, ka thënë Zyrapi.

Dëshmitari ka pohuar se ka thënë për ZPS-në që nuk ka pas dijeni në qoftë se kishte përpjekje nga Shtabi i Përgjithshëm për të vendosur në qoftë se ishin marrë të burgosurit dhe se çfarë iu kishte ndodhur atyre.

Zyrapi ishte pyetur se në qoftë se Shtabi i Përgjithshëm merrte raport se ishin kapur civilë dhe nuk kishin informata lidhur me këta persona, çfarë përgjegjësie do të kishte në këtë pikë Shtabi i Përgjithshëm.

“Përgjegjësia i takonte personit konkret që e kishte bërë këtë akt dhe në qoftë se Shtabi i Përgjithshëm informohej dhe nuk kishte të bënte asgjë lidhur me këtë, ata do të duhej të jepnin një shpjegim se pse kishte ndodhur kjo”, ka lexuar përgjigjen e dëshmitarit, avokati Roberts.

Dëshmitari ka pohuar se e ka thënë një gjë të tillë duke shtuar se ishte përgjegjësi e komandantëve të zonës nëse merreshin civilë ose jo.

“Po, në atë kohë qashtu”, ka thënë Zyrapi.

Gjithashtu Roberts e ka pyetur dëshmitarin nëse i ishte dhënë ndonjë raport atij për mbajtjen e të burgosurve në atë kohë.

“Po, as mua dhe nuk e di që i është dhënë ndokujt prej anëtarëve të Shtabit të Drejtorisë Operative”, ka thënë Zyrapi.

Lidhur me këtë çështje, dëshmitari ka thënë se nuk e ka pasur mundësinë Shtabi i Përgjithshëm që të bëjë hetime në atë kohë pasi me atë duhej të merrej sektori juridik e që gjatë kësaj periudhe ende nuk ishte formuar.

“As struktura e shtabit nuk ka qenë si duhet e lere më struktura e hetimit në atë kohë”, ka thënë Zyrapi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duket se për çiftin e famshëm, Wanda Nara – Mauro…