Zyrapi për Ramush Haradinajn: Reagoi keq kur Krasniqi u emërua zëdhënës i UÇK-së
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Bislim Zyrapi deklaroi se i kujtohet që Ramush Haradinaj ishte inatosur dhe kishte reaguar relativisht keq kur kishte kuptuar se Jakup Krasniqi ishte emëruar zëdhënës i UÇK-së në qershor të ’98-ës.
Fillimisht, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson e pyeti dëshmitarin se a i kujtohet ky takim dhe sjellja e Haradinajt, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Po, ky takim ka qenë në korrik”, tha Zyrapi.
Më pas, Emmerson pyeti dëshmitarin se a i kujtohet për këtë takim në Zhabel në të cilin sipas tij Haradinaj shpërtheu nga inati dhe kishte thënë se ky vendim ishte marrë pa u konsultuar me komandantët e zonave.
“Po, më kujtohet shpërthimi, por nuk më kujtohet data tash dhe koha”, tha ai.
Po ashtu, dëshmitaru u pyet nëse është e vërtetë që Haradinaj kishte kërcënuar që të bllokojë një rrugë të logjistikës, ishte i inatosur dhe kërkonte garanci për Krasniqin. Ndërsa, kur e kuptoi se Krasniqi ishte i njohur me Lahi Brahimajn dhe kushëririn e tij, pastaj ai gradualisht u qetesua.
“Po, po e saktë është”, tha dëshmitari.
Më pas, Zyrapi gjithashtu pohoi se në atë natë kishin qëndruar me Veselin në zonën e Dukagjinit për t’u kthyer më pas në Negroc të Drenicës në të njëjtën ditë kur Krasniqi po jepte intervistën për shtyp dhe po e shpallte emërimin e tij si zëdhënës.
“Po, më kujtohet, në Negroc kam qenë”, tha Zyrapi, e që më pas Emmerson ia kujtoi se ky takim kishte ndodhur në qershor dhe jo në korrik.