Zyrapi pyetet për organizimin e logjistikës së UÇK-së dhe për pavarësinë e zonave
Në vazhdim të pyetjeve, avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagnedra është përqendruar të organizimi i logjistikës së UÇK-së e cila sipas saj, bazën kryesore e kishte në Divjakë të Shqipërisë.
Ajo e ka pyetur dëshmitarin Bislim Zyrapi lidhur me deklaratën e komandantit të Zonës së Llapit të UÇK-së, Rrustem Mustafa, i cili sipas saj në dëshminë e dhënë në ketë proces gjyqësor, ka thënë se ka pasur mundësi të siguronte armë nga Bosnja dhe Serbia, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Mustafa ka dëshmuar që ka pasur mundësi të siguronte armë nga Bosnja dhe Serbia gjatë luftës. Ai ka shtuar gjithashtu që ka shtuar kontribute vullnetare të dhëna nga disa njerëz si brenda dhe jashtë Kosovës”, ka thënë avokatja Alagnedra.
Pas ka pyetur dëshmitarin se a është në dijeni të kësaj gjendje, dëshmitari shkurtimesh është përgjigjur me “Po”.
Pas kësaj, avokatja ka thënë se sa i takon aspektit logjistik dhe financiar, zonat kishin një linjë të pavarur për furnizime dhe financime dhe Shtabi i Përgjithshëm në Divjakë nuk kishte kontroll apo jo?
Përgjigjja e dëshmitarit lidhur me ketë pyetje nuk është dëgjuar, mirëpo sipas mimikës trupore u duke që ai është pajtuar në konstatimin e bërë në formë pyetje nga avokatja.
Paraprakisht, avokatja e ka pyetur dëshmitarin lidhur librin e Bardhë Hamzajt me titull: “Një narrativë për luftën dhe lirin”, ku në të ndër të tjera thuhej se Ramush Haradinaj kishte krijuar një mekanizëm paralel logjistike dhe kishte vendosur Mustafë Selmanaj si shef të saj.
Lidhur me këtë, dëshmitari Zyrapi ka thënë se Haradinaj e ka konsideruar që e ka bërë një vijë të veçantë, por sipas tij ka qenë në kuadër të bazës se logjistikes së UÇK-së.
“U mundua në atë drejtim ta bëj një paralel në fakt, por të gjithë ata njerëz që kanë furnizuar atë zonë kanë qenë të bazës së logjistikes së UÇK-së, por që kanë qenë të dedikuar drejt për Zonën e Dukagjinit. Kështu që ai e ka konsideruar që e ka bërë një vije të veçantë, por jo ajo ka qenë në kuadër të bazës se logjistikes së UÇK-së”, ka thënë Zyrapi.