Zyrapi: Shtabi i përgjithshëm i UÇK-së s’ka arritur t’i plotësojë të gjitha kapacitetet e nevojshme
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka vazhduar dëshminë dëshmitari i 75-të i ZPS-së, Bislim Zyrapi në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit përmes avokates Venkateswari Alagnedra, dëshmitari Zyrapi ka thënë se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së nuk ka arritur që t’i plotësojë kapacitetet e nevojshme gjatë luftës.
“Në përgjithësi, drejtoritë edhe në këtë kohë kanë qenë jo të plotësuara, jo veç njëra, dy apo tri, por asnjëra. Shtabi nuk ka arritur t’i plotëson të gjitha kapacitetet e nevojshme për këtë shtab. Kemi shkuar me ato çfarë kemi pasur, me çfarë kemi qenë në dispozicione e që kemi mundur të punojmë”, ka thënë Zyrapi , raporton “Betimi për Drejtësi”.Dëshmitari ka thënë se sa i takon informimit në struktura është bërë gjatë takimeve, duke shtuar se ata nuk kanë mundur që t’i profesionalizojnë të gjithë sektorët.
“Informimi zakonisht në atë kohë ka qenë siç e ceka edhe më herët siç shihet edhe në mbajtjen e takimeve, gjithnjë me problemet e furnizimit, resurseve e të gjithave që nevojitet. Në fakt, në normale përveç kësaj duhet të jetë edhe aspekti i profesionalizimit të këtyre drejtorive. Kur them profesionalizimit është edhe pjesa e trajnimeve dhe aftësimeve të njësive edhe më poshtë të këtyre sektorëve. Po, ne nuk kemi arritur të gjitha këto t’i bëjmë. Ne vetëm disa sektorë kemi mundur t’i arrijmë, t’i përgatisim një pjesë të këtyre drejtimeve, por të gjitha jo”, ka thënë Zyrapi.
Dëshmitari Zyrapi ka thënë se në krye të Drejtorisë së Personelit në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ishte emëruar Adem Grabovci.
“Drejtoria e personelit, e cila i ka edhe burimet njerëzore, ajo normale që informacionet i merrte edhe nga zonat edhe nga veprimet ushtarake edhe nga shtabi, duhet marrë edhe nga drejtoritë të tjera, sidomos është dashur të marrë nga Drejtoria e Inteligjencës për arsye së është dashur me ditë edhe aspektin kur të përcaktohet dikush në detyrë komanduese se a mund t’i ofrohet dhe jepet ai besim. Ajo çdo kund, edhe në paqe edhe në luftë nga kjo drejtori kërkohet çdoherë… ose mund të ushtrojë atë detyrë”, ka thënë dëshmitari.
Veç tjerash, Zyrapi ka thënë se për emërimet në pozita të ndryshme janë bërë propozime.
“Mirëpo, të gjitha këto nuk kemi mundur t’i bëjmë në atë kohë për arsye se edhe drejtoritë nuk kanë qenë të para, edhe nuk kanë pas resurse që t’i kem gjitha këto mundësi t’i bëjmë. Ato sa herë janë dhënë mendimet se çdo herë janë propozuar nga zonat, komandantët e zonave ose brigadave që të emërohet dikush në detyrat sipas vlerësimeve të tyre. Tek ne në shtab, ne kemi mundur t’i vlerësojmë, komandantët e brigadave dhe zonave që mund të vendosen në ato pozicione”, ka thënë dëshmitari Zyrapi.
Më tutje, Zyrapi ka thënë se komandantët e zonave dhe brigadave janë propozuar nga zonat dhe brigadat e që pastaj emërimet të mund të bëhen nga strukturat më të larta.
Kurse, pozitat në njësi më të vogla, ai ka thënë se i bënë komandanti i zonës ose brigadës në vartësi të nevojave që ka.
Disa materiale që ia ka prezantuar dëshmitarit, Alagendra ka kërkuar të pranohen si prova materiale për çfarë nuk kishte kundërshtime.
Një pjesë e seancës ka kaluar në sesion privat me kërkesën e Alagendras për t’ia bërë dëshmitarit disa pyetje.
Ndryshe, për ditën e sotme dëshmitari Zyrapi e ka mbaruar dëshminë, ndërsa pritet që të vazhdojë serish të hënën më 15 korrik 2024.