Zyrapi thotë se deri në nëntor 1998, Thaçi mbulonte Drejtorinë për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun
Dëshmitari Bislim Zyrapi, ka thënë se Hashim Thaçi deri nëntor të vitit 1998 mbulonte Drejtorinë e Informimit dhe Marrëdhëniet me Publikun në shtabin e përgjithshëm të UÇK-së.
Ai ka thënë se më pas kishte lindur nevoja për një pjesë të veçantë të anës politike, kështu që është formuar Drejtoria Politike, ku në krye të saj ishte vendosur Thaçi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Rolin e drejtorit të Drejtorisë për Marrëdhënie me Publikun e ka drejtuar deri në transformimin e shtabit të përgjithshëm në nëntor të ’98-s. Në nëntor është nxjerrë nevoja se ishin bisedimet me palën ndërkombëtare dhe me Serbinë, atëherë u dashtë nevoja që të jetë një pjesë e veçantë e pjesës politike dhe është formuar Drejtoria Politike, në të cilën fillimi i punës së saj ka filluar nga dhjetori”, ka thënë Zyrapi.
Ai ka thënë se Thaçi ishte vendosur në atë pozitë për shkak të përvojave të tij që ka pasur për marrëdhënie me publikun dhe mediet.
“Dhe i ka njohur edhe aspektet ndërkombëtare dhe është vendosur në këtë detyrë dhe e ka ushtruar këtë detyrë deri në Rambuje kur është përcaktuar edhe si Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme nga Rambujeja që ka dalë”, ka thënë dëshmitari.
Në gjyqin ndaj Ramush Haradinajt, sipas avokatit Mishetiq, dëshmitari kishte thënë se në verën e ’98-s ekzistonin vetëm dy zona operative, ajo e Drenicës dhe e Dukagjinit, ndërsa zonat e Pashtrikut, Karadakut dhe Llapit janë formuar më vonë dhe nuk funksiononin si zona të vërteta.
“Shumë mirë, e kjartë. E kam thënë edhe në dëshmi aty që zona e Drenicës dhe Dukagjinit ka qenë aktive në aspektin e luftimeve, kurse këto zona tjera nuk kanë qenë aq të organizuara dhe të unifikuara. Ato kanë ekzistuar aty, kanë qenë komanda e të gjitha, por nuk ka qenë i plotë e as nuk kanë qenë aktive shumë në luftime”, ka thënë dëshmitari.
Zyrapi ka marrë shembull Zonën e Pashtrikut, për të cilën ka thënë se kishte disa njësi që nuk ishin të lidhura me një komandë deri në fundin e qershorit 1998.
“Kur folëm për këtë kohën qershorin-korrikun, domethënë që nuk kanë qenë të organizuara mirë. Nuk kanë qenë për arsye se kanë qenë shumë grupe të ndryshme në këto territore. Kanë qenë edhe në territorin e Drenicës dhe në të Dukagjinit, po atje ka pas pak më mirë, më afër organizmi kurse në këto zonat nuk kanë qenë të gjitha. Kanë pas njësite të ndryshme brenda territorit”, ka thënë Zyrapi.
Në Pashtrik, ai ka thënë se ishin: njësiti “Lumi”, “Lisi” dhe “Pëllumbi”, por asnjëri prej tyre nuk ka qenë e lidhur me një komandë.
“Dhe shihet prej asaj që deri në fund të qershorit ku është caktuar komandanti i zonës në zonën e Pashtrikut. Deri atëherë nuk ka pas as komandë, ndoshta ka pas komandë por nuk jam në dijeni, po shihet që deri atëherë nuk ka pas komandë dhe këto njësitë kanë vepruar sipas situatës dhe nevojave dhe kjo është aspekti i saj që nuk kanë qenë të organizuara. Këto njësi nuk kanë pas bashkëpunim në mes vete”, ka thënë Zyrapi.
Përpara kësaj, Zyrapi është pyetur nga avokati Mishetiq se cilat ishin kushtet që mund të hynte në fuqi një urdhër i dalë nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së.
“Që të hynte në fuqi një urdhëresë, e cila është e shkruar duhet të kishte nënshkrimin, vulën, numrin e protokollit”, ka thënë Zyrapi.
Po ashtu, ai ka thënë se nëse mungonin njëra nga këto elemente, urdhri nuk mund të hynte në fuqi.
“Pa nënshkrim edhe vulë nuk mund të hynte në fuqi ose nuk është kryer procedura administrative për të hyrë në fuqi ai urdhër”, ka thënë Zyrapi.
Më pas, avokati Mishetiq ka pyetur dëshmitarin se a mund të thuhet se komandantët e zonave në të gjithë UÇK-në merrnin autoritetin e tyre nga njësitë lokale të UÇK-së dhe jo nga shtabi i përgjithshëm, gjithmonë duke iu referuar periudhës kohore gjatë verës së vitit 1998.
“Komandantët e zonave në atë kohë normalisht që kanë pas prej njësiteve brenda zonave të tyre dhe ato veç nga ana ime kur kam ardhur i kam gjetur dhe nuk mund ta përcaktoj, por sipas një procesi dhe mënyrës si shihet, po. Po, është dhënë nga njësitë më poshtë dhe është përcaktuar nga njësitë më poshtë”, ka thënë Zyrapi.