Zyrapi thotë se e kishte emëruar dikë tjetër në sektorin e ZKZ-së në kohën kur Veseli nuk ishte në Kosovë
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë edhe të martën është duke vazhduar dëshminë dëshmitari i 75-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Bislim Zyrapi në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Zyrapi ka thënë se në kohën kur Veseli ishte jashtë Kosovës, në detyrat e sektorit të Zbulim-Kundërzbulimit (ZKZ), e kishte caktuar Mensur Kasumin, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Këtë deklarim, ai e ka bërë duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Veselit, Ben Emmerson.
Fillimisht, Emmersoni e ka pyetur dëshmitarin se a është e vërtetë që i ishin drejtuar ankesa sa i takon mungesës së një shërbimi të zbulimit brenda Kosovës në kohën kur Veseli ishte jashtë.
Këtë gjë, e ka pohuar edhe Zyrapi duke konfirmuar se para mbërritjes së Kasumit nuk ishte askush që të bënte diçka në lidhje me ZKZ-në në Shtabin e Përgjithshëm, ndërkohë që Veseli ishte jashtë.
Zyrapi ka thënë se nga Kasumi kishte marrë informata vetëm për lëvizjen e forcave serbe.
Ndërsa Emmersoni e ka pyetur dëshmitarin nëse arsyeja e emërimit të Kasumit kishte të bënte me faktin se shërbimi i sigurimit nuk ishte në gjendje të kujdesej nga jashtë.
“Nuk është veç arsye e kësaj. Këtij shkrimi në këtë kohë se zotëri Kasumin me ardhjen në Shtabin e Përgjithshëm e kam drejtuar në këtë drejtim që të jepte informacione për ‘G2’-shin ose sektorin e Zbulimit-Kundërzbulimit. Nuk kam pas askënd tjetër. Meqenëse ai ka pasur përvoja dhe mund ta bënte këtë detyrë dhe e ka ushtruar këtë detyrë. Derisa nuk është kthyer zotëri Veseli dhe faktikisht deri kur nuk është bërë ndryshimi i shtabit dhe kalimi i Veselit prej shtabit në pjesën civile, faktikisht në Shërbimin Informativ të Kosovës”, është përgjigjur dëshmitari.
Pastaj, ai ka thënë se janë vendosur edhe të tjerë të cilët kanë vazhduar në drejtimin në Shtabin e Përgjithshëm.
“Por, deri në atë kohë, prej janarit të cilin Kasumi është transferuar në Shtabin e Përgjithshëm përveçse ka qenë drejtor, e ka kryer edhe këtë detyrë për arsye se nuk kemi pas kuadra të tjera, nuk kemi pas resurse tjera që të vendoset”, është përgjigjur dëshmitari.
Më tutje, Zyrapi ka thënë se Veseli nuk ia kishte lënë asnjë zëvendës që ta kryente detyrën e tij në kohën kur ai ishte jashtë vendit.
“Të paktën mua, zotëri Veseli nuk më ka lënë dikë që ka qenë brenda si zëvendës apo që kryen detyrën e tillë. Kjo është përcaktuar atëherë dhe ai e ka kryer këtë detyrë. Jo veç këtu po ka pas mungesë edhe në vende të tjera, por edhe kërkesat e komandantëve kanë qenë të shpeshta”, ka thënë ai.
Më pas, Emmersoni ka pyetur dëshmitarin se a e kishte caktuar vetë ai që Kasumi t’i kryente këto detyra, e që dëshmitari e pohoi një gjë të tillë.
Emmerson ka thënë se në deklaratën e tij, Kasumi kishte thënë se i kujtohet që kur është takuar me Veselin ka qenë pasi ky i fundit ishte kthyer në Kosovë në mars.