Zyrtare: Arben Ahmetaj nën hetim nga SPAK-u për tri akuza
Struktura e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) është duke e hetuar ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj për tri akuza, atë të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Mësohet se SPAK-u ka marrë në pyetje edhe ish-bashkëshorten e tij e cila ka deklaruar se ka në pronësi vetëm shtëpinë në ish-Bllok, por jo vilën në Palasë.
Verifikimi pasuror ndaj Ahmetajt ka nisur në fillim të muajit. Byroja Kombëtare e Hetimit ka kryer kontrolle më 9 mars në shtëpitë e ish-gruas Albina Mancka dhe bashkëjtueses aktuale Erjola Hoxha. Kontrollet janë zhvilluar pas urdhrit të dhënë nga Gjykata e Posaçme.
Ndërkohë, Arben Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha i janë drejtuar Gjykatës së Posaçme të Apelit me kërkesë për të shpallur si antikushtetues vendimin për kontrollin e ushtruar në banesën ku ata jetojnë. I jashtëligjshëm, sipas avokatëve të Ahmetajt, ishte edhe procedura e kontrollit të banesës dhe ajo e kontrollit personal ndaj Erjola Hoxhës.
SPAK-u është duke e hetuar ish-ministrin Arben Ahmetaj në kuadër të procedimit 277/1. Ky procedim është një fraksion hetimor për çështjen e inceneratorëve.