Zyrtare: Arrestimi i policëve në veri lidhet me vrasjen e Ivanoviqit
Prokuroria e Shtetit ka sqaruar ndërlidhjen e aksionit të sotëm në veri të Mitrovicës ku u arrestuan dy policë në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Prokurori Njazi Rexha, i cili po heton rastin, ka konfirmuar se arrestimi i dy policëve ndërlidhet me mënyrën se si është ruajtur vendi i ngjarjes pas incidentit. Ata kanë qenë në detyrë ta ruajnë vendin e ngjarjes dhe nuk e kanë kryer detyrën e tyre siç duhet”, ka thënë Rexha për “Kallxo.com”. Ai ka sqaruar se janë duke hetuar pasojat e veprimeve të policëve. Lajmin për arrestimet e dy zyrtarëve policorë të Stacionit në Mitrovicën Veriore e bëri të ditur sonte Inspektorati Policor.
Sipas komunikatës së inspektoratit, këta zyrtarë u arrestuan nën dyshimin për manipulim me prova. Inspektorati njofton se përveç arrestimeve, kanë bastisur dy lokacione në Mitrovicën Veriore me urdhër të prokurorit dhe gjykatës.