Zyrtare: EHF përjashton Serbinë nga turneu
Federata Evropiane e Hendbollit ka konfirmuar përjashtimin e Kombëtares së Serbisë U20 për femra nga turneu që është duke u zhvilluar në Beograd.
EHF-i përmes një komunikate për media bën të ditur se, “në kohën e fillimit të ndeshjes (ora 16:00) ishte e pamundur të hynin në sallë delegatët e EHF, gjyqtarët, dhe ekipi i Kosovës përkundër që të gjithë ishin të pranishëm në hyrje të sallës. Ekipi i Serbisë nuk ishte i pranishëm në zonën e sallës së lojës gjatë gjithë kohës së këtij procesi”.
“Bazuar në këtë fakt delegatët e EHF-it, gjyqtarët dhe ekipi i Kosovës ishin të gatshëm që të fillonin ndeshjen me kohë. Duke marrë në konsideratë rregulloren për Turneun e Kualifikimeve të YAC, ekipi i Serbisë përjashtohet nga turneu dhe Grupi 5 i Turneut të Kualifikimeve WU20 bëhet vetëm me tre ekipe (Kosova, Norvegjia, dhe Sllovakia)”, thuhet në konfirmimin e EHF-së, transmeton Koha.net.
EHF bën të ditur se orari i ndeshjeve të tjera të këtij grupi nuk kanë ndryshuar.