Zyrtare: Finalja e Ligës së Kampionëve zhvendoset nga Stambolli në Porto
Finalja e Ligës së Kampionëve ndërmjet Chelseas dhe Manchester Cityt do të zhvillohet në Portugali dhe në stadium do të lejohen të jenë të pranishëm nga 6 mijë tifozë prej secilës skuadër.
Finalja e 29-të majit është zhvendosur nga Turqia në qytetin portugez, Porto, për shkak të kufizimeve të udhëtimit si pasojë e koronavirusit.
Në finalen e Ligës së Kampionëve përballen dy klube angleze, Chelsea kundër Manchester City, më 29 maj.
Portugalia është në listën e gjelbër të Anglisë, prandaj lojtarët dhe tifozët mund të shkojnë atje pa pasur nevojë të futen në karantinë kur të kthehen në shtëpi.
Turqia është në listën e kuqe të Anglisë. Ky do të jetë viti i dytë radhazi që finalja e Ligës së Kampionëve zhvillohet në Portugali.
“Privimi i tifozëve nga mundësia për ta shikuar ndeshjen nga stadiumi nuk ishte opsion dhe unë jam i lumtur që është gjetur kompromis”, ka thënë presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin.
UEFA ende nuk e ka caktuar numrin e saktë të tifozëve që do të lejohen në stadiumin Dragao në Porto për këtë ndeshje finale, por tashmë është e qartë se 12 mijë adhurues do të jenë të pranishëm nga të dy skuadrat.