Zyrtare: Gliha largohet nga Kosova
Primozh Gliha nuk do të jetë më trajner i Përfaqësues së Kosovës në futboll. Lajmin e ka konfirmuar Federata e Futbollit e Kosovës.
“Me përfundimin e ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian 2024, ka përfunduar edhe marrëveshja me trajnerin e deritanishëm Primozh Gliha. FFK-ja e falënderon përzgjedhësin Gliha për punën e tij në krye të ekipit kombëtar në gjashtë ndeshjet kualifikuese të zhvilluara”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Primozh Gliha mori drejtimin e Kosovës pas shkarkimit të përzgjedhësit Alain Giresse.
FFK-ja poashtu ka njoftuar se do të analizohet situata në Përfaqësuesen A dhe do të gjejë edhe trajnerin e ri.
“Federata e Futbollit e Kosovës tashmë ka filluar analizimin e thellë të situatës aktuale në ekipin kombëtar A dhe pas kësaj analize do të merren masat adekuate dhe veprimet e ardhshme, përfshirë edhe angazhimin e përzgjedhësit të ri që do t’i prijë ekipit kombëtar”, thuhet në njoftimin e shtëpisë së futbollit kosovar.